
Para disa ditësh dëgjova se Shoqata e veteranëve paska kërcënuar me protesta nëse nuk futet edhe “paga” e veteranëve në ligjin e pagave! Nuk vonoi shumë dhe SBASHK-u filloi një grevë, sa të pakuptimtë aq edhe anakronik. E gjithë kjo në prag të ngjarjeve me rreziqe të paparashikueshme dhe me pasoja edhe për vetë qenësinë e shtetësisë së brishtë të Kosovës. Pak ditë para 1 shtatorit 2022! Të jenë të rastësishme këto kërcënime dhe veprime, apo të koordinuara, e në mos më keq, të porositura e të dirigjuara kundër interesave kombëtare dhe shtetërore?!?!
Bukur fort! Kjo më grishi kujtesën time të fillimvjeshtës 2017 për një pension përrallor, por pa asnjë bazë as ligjore, as logjike e as njerëzore. Prandaj, veteranët dhe SBASHK-u duhet të ngrisin zërin fillimisht kundër zhvatjes së tillë të mjeteve të taksapaguesve. Po përse e kam fjalën?
Për t’u bërë kryeministër i qeverisë së Kosovës më 9 shtator 2017, pos “Listës sërbska”, Ramush Haradinajt i duhej edhe një votë, një votë deputeti, bleu votën nga më të shtrenjtat e shitura ndonjëherë në historikun parlamentar të Kosovës së pasluftës. Por ama nuk e pagoi me paratë nga xhepi i tij…
Një votë e vetme e Teuta Rugovës vendoste për krijimin e qeverisë apo moskrijimin e saj, e me këtë edhe dështimin e turpshëm të Ramushit në garën e ethshme për karrikën e kryeministrit. Prandaj ajo e shiti bukur shtrenjtë votën e saj. Kërkesa e parë ishte që vëllau i saj Uka, i ndjekur për veprimtari kriminale, të mos ndiqej penalisht dhe të lihej i lirë të vepronte më tutje.
Dhe vazhdon lista e kërkesave të votës së Teutës: ajo donte të rehatonte nënën e saj, Fanen, me një “pension”, çfarë në Kosovë vetëm mund të ëndërrohet, një pension hiç më pak se 1’000.- Euro (njëmijë euro!) në muaj!. Pastaj Fanes i duhej një veturë, të cilën ajo nuk kishte me se ta blente, por edhe një shofer që ta voziste, meqë ajo nuk ka patent shoferi. Natyrisht që shpenzimet e veturës dhe pagën e shoferit duhet t’i paguante dikush, se ajo nuk kishte mundësi ta bënte vet. Shtëpisë ku banon familja Rugova, shtëpi që padrejtësisht e kanë privatizuar dhe bërë pronë të tyre, iu duheshin shuma marramendëse për ta nxehur.
Vetëm në dimrin 2017-2018 duheshin edhe 70’000 Euro (shtatëdhjetëmijë!) shtesë për nxemje! Për ta mbajtur shtëpinë duhej edhe krah pune, sepse Fane Rugova nuk arrinte dot ta bëjë. Pra, atyre u duheshin edhe shërbëtorë të shtëpisë, hiq më pak se 12 veta (dymbëdhjetë!). As Çaushesku nuk e besoj se kishte kaq shërbëtorë në pallatin e tij! Të gjitha këto duhej të paguheshin nga buxheti i shtetit më të varfër në Evropë, shtetit të brishtë të Kosovës! Më sakt, nga paratë e taksapaguesve të këtij shteti!
Nëse merret lapsi, apo më mirë me thënë një llogaritar elektronik, do rrënqethemi me shumat marramendëse që paguan shteti për një “pensioniste” të tillë. Nëse marrim si rrogë “mesatare” të një shërbëtori në shtëpinë e familjes Rugova vetëm me 350 Euro në muaj, do kemi një shumë prej 4’200 Euro për një shërbëtor në vit, ose 50’400 për të gjithë shërbëtorët. Këtu nuk bën pjesë rroga e shoferit. Fana merr 12’000 Euro (dymbëdhjetëmijë) “pension” në vit, pa llogaritur pensionin e pleqërisë.
Kur të shtohen shpenzimet e nxemjes dhe mirëmbajtjes së objektit, në vit kalon shuma e 120’000 Euro (njëqindenjëzetmijë)!!! Kjo shumë është e barabartë me “rrogat” mujore të 706 (shtatëqind e gjashtë) veteranëve! Athua për këtë paskan luftuar veteranët?
Unë akoma nuk po e kuptoj logjikën e vazhdimit të pagesës së një “pensioni” të tillë anakronik dhe gjithë asaj morie të shpenzimeve marramendëse për salltanete edhe pesë vite më vonë! Athua deri kur?!
Pikërisht për këtë do duhej që veteranët, arsimtarët, punonjësit administrativë etj. të dalin e të protestojnë, për të hapur rrugën e trajtimit më njerëzor e më dinjitoz të pagesës suplementare të statusit të veteranit, rrogës së arsimtarit, sepse veteranët janë ajka e kombit, të cilët i dolën zot atdheut kur ai ishte në rrezik për t’u zhbërë, ndërsa mësimdhënësit ata që shpërndajnë dije e dritë brezave tanë!
Prandaj e logjikshme do të ishte sikur pagesa suplementare për veteranët të bëhej 1’000 Euro (njëmijë), ose rroga e mësimdhënësve të bëhet jo më e ulët se 800 Euro, por nuk është e logjikshme pagesa e një “pensioni” 1’000 Euro për një grua që nuk bëri kurrë asgjë për këtë vend. Edhe kur u largua nga Kosova më 5 maj 1999, ajo nuk kishte nevojë të hipte me fëmijët në tren apo në ndonjë traktor, por e dërguan me aeroplan special në Romë të Italisë!