Site icon Albanian American Vision

Bisedë me Ilir Hoxhën në 100 vjetorin e lindjes së Nexhmije Hoxhës

Në një intervistë ekskluzive për gazeten Dita, Ilir Hoxha- djali i ish liderit shqiptar Enver Hoxha rrëfen përse nëna e tij Nexhmije Hoxha ishte e lidhur me Kosovën

Nga Xhevdet Shehu

Pavarësisht se vitet e fundit dhe deri në fund të jetës ajo pati një komunikim të rregullt dhe korrekt me gazetën DITA, Iliri në këtë intervistë rrëfen jetën dhe kontributin e nënës së tij që nga koha e Luftës Antifashiste e për dekada me radhë, duke treguar edhe disa episode të panjohura që Nexhmije Hoxha nuk arriti t’i tregonte para se të ndahej nga jeta një vit më parë.

Ilir Hoxha nënvizon se përse nëna e tij do të kujtohet dhe nderohet. “Nexhmije Hoxha do të mbahet mënd si një revolucionare dhe antifashiste e guximshme që gjithë rininë e saj e dha për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”, thotë ai, duke shtuar se pavarësisht se ajo ishte bashkëshorte e Enver Hoxhës, gjithçka në jetë e arriti për meritat e saj edhe gjatë periudhës së socializmit.

Vetëm një muaj para se të ndahej nga jeta ajo arriti të botonte librin e fundit të saj me titullin “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Pa asnjë dyshim ky është libri më i kompletuar i saj. Është një histori mbi 70-vjeçare në rreth 500 faqe.

Enver Hoxha është personazhi kryesor në këtë libër. Më pas, ata në krah të tij në të përpjetat e historisë shqiptare, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia.

Nexhmije Hoxha si askush tjetër në këto 30 vitet e fundit me këtë libër bëri të pabërën si asnjë ish-udhëheqës tjetër komunist i kohës. Ia ka kaluar edhe Ramiz Alisë, pasardhësit të Enverit. Pa le më ish-udhëheqësve të tjerë komunistë, ish-anëtarëve të Byrosë Politike që jo vetëm nuk shkruan asnjë rresht, por edhe që ikën nga kjo botë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

Nuk do të jenë të paktë ata që do e kontestojnë. Por mendoj se do të jenë më të shumtë ata që do ta miratojnë, pavarësisht nëse u pëlqejnë apo jo mendimet e saj. Nuk mund t’ia mbyllë gojën kurrkush. Unë hyj tek ata që thonë: shumë mirë që na lë një dëshmi autentike dhe të patjetërsueshme. Heshtja e saj do të ishte e dyshimtë dhe do të ngjallte më shumë diskutime dhe hamendësime të gabuara se sa vetë botimi i këtij libri.

Nuk mund të vihet në dyshim bindja ekstreme e saj se shoqëria komuniste ishte dhe do të mbetet më e mira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mbarë shoqërinë njerëzore. Indoktrinimi komunist ka një dozë të justifikueshme në historinë që përshkruan autorja në librin e saj që do ta konsideroja testamentar.

Por, në zhvillimet bashkëkohore të pas kolapsit të regjimeve komuniste, argumentet janë më së shumti në favor të autores.

Pyetje – Z.Ilir Hoxha, këtë intervistë me ju po e bëjmë me rastin e 100 vjetorit të nënës tuaj Nexhmije Hoxha, e cila u nda nga jeta një vit më parë. Zonja Hoxha ishte një mike e gazetës DITA prej disa vjetësh dhe ne nuk mund t’a shmangnim nga përkujtimi këtë përvjetor të lindjes të saj. Më mirë se ju, nuk mund të shprehet askush tjetër për figurën e saj. E pra, pse e vlen të përkujtohet Nexhmije Hoxha në këtë përvjetor të ditëlindjes?

Ilir Hoxha – Në radhë të parë falënderojmë gazetën DITA dhe ju personalisht, Xhevdet, që përkujtoni Nexhmije Hoxhën në 100 vjetorin e lindjes.

Është e vërtetë që ajo ishte një lexuese e rregullt e DITA-s. Madje ajo ruante një koleksion me numra të përzgjedhur të gazetës suaj, por për fat të keq ky koleksion humbi bashkë me materialet e tjera, ditën që na nxorën me dhunë nga shtëpia (qershor 2020).

Data e 100 vjetorit të lindjes së saj, për familjen tonë është një ditë e shënuar, e mbushur me kujtime e plot emocione. Është një shekull jetë dhe histori. Më mendje e zemër dua ta kujtoj nënën time në ditët e saj të lumtura pranë Enverit, e rrethuar nga fëmijët e saj dhe nga nipërit e mbesat, por kujtimet e mia i trazojnë vitet e vështira pas ‘90-s, të cilat kanë lënë mbresa të pashlyera tek unë. Gjithsesi jam i qetë në ndërgjegje, që nënës time i qëndrova pranë deri në fund, duke u përpjekur që t’ia lehtësoja sa më shumë vështirësitë që i solli persekutimi demokratik.

Jeta e saj zgjati deri në prag të 100 vjetorit. Ajo ishte një grua që jo vetëm që jetoi gjatë, por gjithë jeta e saj, nga rinia e hershme e deri sa mbylli sytë, ishte e mbushur me një veprimtari të frytshme sa politike aq dhe shoqërore, duke qëndruar e palëkundur në idealin e saj.

Duke ju kthyer pyetjes tuaj: “pse e vlen të përkujtohet Nexhmije Hoxha në këtë 100 vjetor?”, besoj se duke treguar veprimtarinë e Nexhmije Hoxhës gjatë luftës Nac- çlirimtare, pyetja juaj do marrë përgjigjen që i takon.

Nexhmije Hoxha që në moshë të re duke parë realitetin e hidhur që përjetonte vendi dhe shoqëria shqiptare nën pushtimin fashist, e ushqyer me ëndrrën dhe shpresat për një të ardhme më të mirë për popullin, dhe sidomos për rininë e vendit tonë, u përfshi aktivisht në veprimtari revolucionare dhe në demonstratat e para antifashiste.

Një javë pas themelimit të PKSH së, mori pjesë në themelimin e Rinisë Komuniste të Shqipërisë, ku u zgjodh anëtare e KQ të kësaj organizate. Më pas u zgjodh sekretare politike e qarkorit të Tiranës dhe e ngarkuar të punonte në organizatën e Rinisë Komuniste në Durrës dhe Elbasan.

Për pjesëmarrje në këto veprimtari, fashistët e pezullojnë nga puna dhe e dënojnë me 14 vjet e 6 muaj burg në mungesë. Megjithëse vajzë e re, Nexhmije Xhuglini qe e vetmja shoqe që mori pjesë në konferencën e Pezës në atë kuvend pluralist me pjesëmarrje pa dallim feje, krahine dhe ideje, që u zhvillua në Shtator 1942. Ajo mbajti dhe proces verbalin e kësaj mbledhjeje. Këtu dua të shtoj, që pas viteve ‘90 ndonëse kjo Konferencë përkujtohej çdo vit, ajo nuk u ftua asnjëherë ndonëse ishte e vetmja pjesëmarrëse e mbetur gjallë.

E njohur gjatë luftës me pseudonimin “delegatja”, Nexhmije Xhuglini do merrte pjesë si delegate edhe në Konferencën e Dytë Nac-Cl të Labinotit, më 4- 9 Shtator 1943; në Kongresin e Përmetit në maj 1944; në Kongresin e Parë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë, që u mbajt në Helmës të Skraparit në gusht 1944, ku ajo zgjidhet anëtare e Sekretariatit të kësaj organizate; dhe në Kongresin e Parë të Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë, që u mbajt në Berat në nëntor 1944.

Nexhmije Hoxha do të mbahet mënd si një revolucionare dhe antifashiste e guximshme që gjithë rininë e saj e dha për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.

Pyetje – Po, zonja Hoxha ka qenë një antifashiste e orëve të para. Më pas u bë bashkëshorte e Enver Hoxhës. Mos ky fakt ka bërë që asaj t’i rriten më shumë meritat se sa i takonin?

I.H. – Menjëherë pas çlirimit të vendit nisën të hidhen hapat e para për konsolidimin e pushteti popullor në ndërtimin e Shqipërisë së Re. Edhe Nexhmije Hoxha u përfshi tërësisht në këtë lufte të re.

Ajo filloi menjëherë punë në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës. Këtu ajo u emërua drejtore për Arsimin dhe për Radio Tiranën, ku ndiqte vetëm programet politike, shoqërore e kulturore. Siç na tregonte, ndonëse ishte me shëndet të dobët, me një anemi ekstreme, si pasojë e jetës së varfër në familje dhe të kequshqyerit gjatë Luftës, si të gjithë partizanët, ajo vazhdonte punën me entuziazëm duke mos parë orar.

Ndërkohë ajo edhe pse ishte e impenjuar në punë dhe në rritjen e tre fëmijëve u regjistrua në Universitetin e Tiranës për studime me korrespondencë në Fakultetin Histori-Filologji, për letërsi dhe histori.

Nexhmija fliste dhe shkruante shumë mirë në italisht që e kishte mësuar në Institutin Femëror dhe frëngjishten që e kishte mësuar si autodidakte dhe siç asaj i pëlqente të thoshte se “kisha në krah mësuesin e mirënjohur të frëngjishtes, të viteve të shkuara, në shkollat e Tiranës e të Korçës, Enver Hoxhën. Ajo fliste shumë mirë dhe gjuhën ruse madje disa herë luajti rolin e përkthyeses si në takimet private apo shtetërore me ambasadorë dhe personalitete të Bashkimit Sovjetik.

Në kohën që ishte drejtore e Drejtorisë se Propagandës, arsimit, kulturës e shkencës, me cilësinë e këtij funksioni merrte pjesë në disa komisione shtetërore që u ngritën për organizimin të e arsimit të përgjithshëm , për ngritjen e Universitetit të parë në vendin tonë, në komisionet për riorganizimin e instituteve shkencore, si ato për gjuhësinë, historinë, ekonominë dhe institutet e tjera të fushave teknike e teknologjike, për t’i përfshirë të gjitha këto rreth një Akademie të Shkencave, që do të krijohej në vendin tonë.

Për një kohë ka kryer edhe detyra të rëndësishme si drejtuese e organizatave të masave. Ishte e zgjedhur presidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Duhet të kujtojmë që në ato vite është bërë një punë e jashtëzakonshme për emancipimin e gruas. Ajo u zgjodh dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të grave. Ndërsa në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë edhe për kontributin që ajo kishte dhënë si pjesëmarrëse në Konferencën e Pezës.

Nexhmije Hoxha ishte zgjedhur si përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat para vitit 1990, në zona të ndryshme elektorale në disa rrethe të vendit. Është e vetmja grua deri më sot që është zgjedhur me numrin më të madh të legjislaturave. Në vitin 1966 kaloi Drejtore e Institutit të Studimeve marksistë-leniniste pranë Komitetit Qendror të Partisë, ku qëndroi deri sa doli në pension. Siç e thotë edhe në kujtimet e saj: “Enver Hoxha, më ndihmoji jo vetëm të fitoja pjekurinë politike dhe të ngre nivelin tim ideo-kulturor, por edhe më dha mundësi të marr pjesë në jetën politike të Partisë dhe të Rinisë gjatë Luftës, por edhe në mjaft veprimtari të rëndësishme politike e shoqërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, të njihem me personalitete kryesore të vendit, por edhe të vendeve të tjera. Duke qenë një jetë të tërë pranë Enverit, unë u bëra kjo që jam, një luftëtare për të kontribuar sa më shumë në dobi të popullit dhe të vendit tim, si në Luftë, ashtu dhe në ndërtimin e Shqipërisë së Re.”

I përmenda meritat dhe kontributin e saj në luftë dhe në punë për t’i dhënë një përgjigje të plotë pyetjes suaj dhe për të treguar se ajo i kishte të vëmjaftueshme aftësitë dhe meritat për të qenë ajo që ishte deri në fundin e jetës.

Pyetje – Nexhmije Hoxha përveçse bashkëshorte e Enver Hoxhës, ka qenë dhe një bashkëpunëtore e ngushtë e tij gjatë 40 viteve të kohës të socializmit, që në të vërtetë që ishim diktaturë. Diktatura e Proletariatit sanksionohej në kushtetutën e kohës. A ka patur rol apo ndikim Nexhmije Hoxha në zhvillimet e atyre viteve?

I.H.– Është e vërtetë që ishim në diktaturën e proletariatit e sanksionuar në kushtetutën e kohës, por nuk duhet harruar që ishim dhe në demokracinë popullore të sanksionuar në kushtetutë që do të thoshte : “sundimi i shumicës ndaj pakicës”, e kundërta e së sotmes.

Në çështjet parimore, Enver Hoxha ka qenë i prerë. Ai ishte një burrë shteti që merrte vendimet e duhura në kohën e duhur për të mirën e Shqipërisë dhe popullit të tij. Ai asnjëherë problemet e punës nuk i diskutonte në familje dhe aq më tepër ato të organeve të drejtpërdrejta të diktaturës si Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit apo Ministria e Mbrojtjes.

Nexhmija nuk bënte pjesë në këto organe dhe rrjedhimisht nuk kishte se si të ndikonte. Ajo ka bërë punën e saj në funksionet e ngarkuara nga Partia dhe Shteti, të cilat janë të njohura që i kam përmendur dhe në këtë intervistë.

Ndërsa si bashkëshorte e Enver Hoxhës, po, ka bërë maksimumin për shëndetin e tij që Ai të ndjehej sa më mirë nga problemet stresuese që mund të kishte. Këto i bënte duke mos lënë asnjë çast punët e saj por e bënte në dëm të shëndetit të saj. I jemi gjithmonë mirënjohës për ç’ka bëri për babain dhe i kemi ndenjur pranë në ditët e vështira të demokracisë, si unë dhe Pranvera e Teuta. Për këtë edhe ajo na ishte shumë mirënjohëse neve të treve.

Pyetje – Nëna juaj, Nexhmije Hoxha, kishte një lidhje të fortë me Kosovën, për të cilën shkroi edhe një libër para disa vjetësh. Si e shpjegoni lidhje të saj me Kosovën?

I.H.– Nexhmija që në vegjëlinë e saj e ndjeu shtypjen dhe persekutimi që iu bë familjes së saj nga serbët. Familja e saj u shpërngul nga Dibra e Madhe dhe u vendos në Manastir të Maqedonisë ku dhe u lind. Me vazhdimin e persekutimit ata u shpërngulën dhe u vendosën në Tiranë.

Kjo ndjenjë iu forcua edhe duke parë preokupimin e madh të Enver Hoxhës për shqiptarët që kishin mbetur jashtë trojeve të Shqipërisë, të ndara padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha dhe që shtypeshin nga regjimi serb.

Si udhëheqës i shtetit amë, Enver Hoxha evokoi vazhdimisht të drejtat kombëtare dhe politike të kosovarëve. Ashtu siç shkruan dhe Nexhmija në kujtimet e saj “Ai nuk u foli atyre asnjëherë nga “lart”, përkundrazi i vlerësonte ata”. Më urtinë e tij, Ai jepte mendime për rrugën që duhej ndjekur për zgjidhjen e problemeve të trojeve dhe të popullsisë shqiptare që vuante shtypjen e regjimit serb. Për këtë, Ai pati sugjeruar që vetë populli shqiptar i Kosovës me prijësit e tij të krijonin një Front apo Lëvizje Popullore. Kjo ide dhe ky orientim i Enver Hoxhës, do të gjente zbatim më pas në krijimin e kësaj Lëvizjeje, e cila u bë pararendëse dhe bërthama e UÇK-së, që nisi luftën dhe kontribuoi në çlirimin e Kosovës nga sundimi i gjatë i serbomëdhenjve dhe në krijimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës.

Zhvillimet e sotme në rajon po vërtetojnë gjithnjë e më shumë konkluzionin që Enver Hoxha e ka deklaruar dekada më parë se : “….pa një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës, nuk do të ketë paqe në rajonin e Ballkanit e më tej”. Ai nga ana e tij mori të gjitha masat duke bërë nga planet operative e deri në bazën luftarake të ruajtur në depot e ushtrisë me destinacionin – Kosovë.

Enver Hoxha vdiq në1985. Amaneti i tij u realizua. Kosova u çlirua dhe u bë e pavarur por jo plotësisht sepse i ploti është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Për këtë amanet që nuk u plotësua sa ishte gjallë Enver Hoxha, Ai ishte optimist kur thoshte: “Ne vetë me duart tona, me forcat tona, do ta ndërtojmë këtë unitet të Kombit shqiptar. Këtë detyrë të shenjtë na i kanë lënë amanet ta plotësojmë të parët tanë. Në mos e arriftë dot brezi ynë që ta plotësojë atë, duhet të përgatisim fushën që djemtë dhe vajzat tona ta kryejnë këtë detyrë ndaj mëmës sonë të dashur Shqipëri”.

Ideja udhërrëfyese e Enver Hoxhës për Kosovën të cilën e ka shprehur, ishte: “Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”. Në bazë të kësaj ideje ai ndërtoi strategjinë e fitores. Ai theksonte: “Do të vijë koha kur kosovarët do të luftojnë akoma më mirë, më shumë e më fort, për të fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Shqiptarët që banojnë në trojet e veta kombëtare në Jugosllavi do të vendosin vetë se me cilin shtet do të bashkohen, do të vijë koha që ata ta thonë fjalën e tyre”.

Dhe koha erdhi pavarësisht se ai nuk jeton më. Kosova u çlirua në sajë të luftës të UÇK-së e organizuar në një mënyrë perfekte me udhëheqës djem të rinj, trima e të patrembur që fitorja ishte e padiskutueshme.

Fola për këto zhvillime për të treguar përse Nexhmija ishte e lidhur kaq shumë me Kosovën.

Pyetje: – Dakord Ilir, e njoh këtë ndjeshmëri të nënës suaj për Kosovën. Por a mund të na rrëfeni ndonjë detaj nga lidhjet e saj me Kosovën dhe kosovarët?

I.H. – Pyetje me vend. Ajo në shtëpinë e saj modeste në Laprakë dhe sapo kishte dalë nga burgu, ka pritur qindra të rinj e të reja që vinin nga emigracioni për t’ju bashkuar luftëtarëve të UÇK-së. Ata vinin për ta takuar atë, ajo e dinte që ky nder i bëhej edhe si gruaja e liderit të tyre shpirtëror, Enver Hoxhës, dhe ajo u jepte bekimin si një nënë që përcillte bijtë e bijat në luftë.

Ajo e dinte se çfarë ishte lufta ilegale dhe në front. Pavarësisht se ishte një grua e fortë, qante nën zë kur merrte vesh se ishte vrarë dikush nga ata që i kishte përcjellë në luftë. Ajo gëzohej shumë kur pas fitores ktheheshin tek ajo për t’i thënë se e kishin mbajtur premtimin dhe Kosova ishte e lirë.

Ajo priste dhe luftëtarë të plagosur pasi dilnin nga spitali ushtarak në Tiranë. Në takimet që kam qenë prezent jam befasuar nga guximi dhe trimëritë e tyre, që ata tregonin.

Nexhmija e mbështeti ndërhyrjen e NATOs në luftë bashkë me UÇK-në që e kishte nisur këtë luftë të drejtë. Nexhmijes ju kundërvunë grupe të vogla, ty ideve të majta por pa ide të qarta, që si ishte e mundur të mbështeste imperializmin amerikan kur Enver Hoxha ishte kundra politikës të Amerikës. Nexhmija ju jepte përgjigjen e prerë se, ajo ishte në anën e popullit vëlla të Kosovës.

Për mos e zgjatur, vëllezërit kosovarë ja shpërblyen Enver Hoxhës për gjithë atë përpjekje që Ai kishte kontribuar, duke ja përkujtuar 100 vjetorin e lindjes në mënyrë madhështore mu në qendër të Prishtinës, në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Kur ndërkohë që këtu në Shqipëri nuk ju bë asnjë përkujtimore, bile u munduan të pengojnë dhe ndonjë përkujtim nga ana e familjes. Më konkretisht, unë vajta në Gjirokastër në vendlindjen e babait, për t’ju dhënë një kafe e një gotë raki siç është zakoni në shtëpinë e tij. Pushteti i Sali Berishës do e quante dhunim të institucioni në se do e organizoja aty mbasi ishte muze etnografik dhe nuk lejohej. (Po dhunoja shtëpinë time, domethënë të babait).

Kryetari i bashkisë më tha që ta organizoja aktivitetin atje se i merrte përgjegjësitë ai por nuk doja ta vija në vështirësi. Gjirokastritët më ofruan shtëpitë e tyre por edhe për ata mendova që jo për të njëjtën arsye. U mblodhëm tek sheshi para shtëpisë, mbajta një fjalë të shkurtër, gjithashtu folën dhe disa të ardhur nga gjithë trevat, pimë nga një raki në këmbë dhe u larguam nga qyteti i gurtë që ishte mbushur nëpër mure me bojë të kuqe me yje dhe emrin ENVER.

Ky organizim i 100 vjetorit të lindjes të Enver Hoxhës në Kosovë, ishte shumë domethënës dhe Nexhmijes iu bë shumë qejfi dhe ishte shumë krenare për popullin shqiptar të Kosovës. Ajo deri në fund të jetës, ndonëse ndonjë vizitor nga Shqipëria edhe nuk e priste për pamundësinë e saj shëndetësore, ajo as edhe një rast nuk ktheu ata që vinin nga Kosova, Maqedonia, Zvicra, Gjermania e nga gjithë Europa e bota.

Nexhmija nuk ishte dakord për krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë që në fillim. Madje ajo ishte shumë e shqetësuar se gjërat nuk do merrnin një udhë të mirë. Ajo e dinte se kjo gjykate u krijua për të dënuar drejtuesit e UÇK-së dhe denigruar Luftën heroike të saj. Ajo nuk e pa kur kjo gjykatë arrestoi komandantët e UÇK-së dhe vazhdon të thërrasë të tjerët. Më vjen keq për të gjithë të thirrur në Hagë, dhe për Hashim Thaçin, por nuk ia harroj që, në takimin e parë dhe të fundit të rastësishëm që pata me të në një restorant luksoz në Prishtinë, u tregua i ftohtë sepse mos e shihnin gjeneralët e NATO-s që ishin në restorant dhe që do drekonte me ata, se ai takoi djalin e Enver Hoxhës.

Gjithashtu rendi me shpejtësi në promovimin e një libri paçavure që shtrembëronte të vërtetat e jetës së Enver Hoxhës, dhe iu bashkua atyre kundërshtarëve të Enver Hoxhës duke lënë të kuptohej që jam edhe unë në ketë mjedis që festohej e shijohej shampanja. Natyrisht Nexhmijes nuk i erdhi mirë, por secili tregon veten.

Por ta lëmë këtë dhe të dalim tek thelbi. Jam i sigurt që të gjithë do dalin ballë hapur, të nderuar e të vlerësuar për Luftën që kanë bërë. Mos ketë frikë ai gjykatës t’i plotësoji kërkesat e tyre me arrest shtëpie apo detyrim paraqitje nga frika se mos arratisen. Nuk arratisen luftëtarët trima të UÇK-së. Ata nuk kishin frikë dhe nuk e braktisën Luftën e jo më të frikësohen tani. Të frikësuar janë ata që po i gjykojnë. Edhe në se ndonjëri do dënohet, është dënim politik që nuk i njollos ata.

Këto janë makinacione të forcave të errëta që nuk e duan Kombin shqiptar. Dhe së fundmi që ta mbyll me pyetjen për Kosovën, edhe kur vdiq Nexhmija, qenë të shumtë ata që erdhën nga Kosova, Maqedonia, Zvicra, Gjermania e nga kudo, duke mbajtur edhe fjalë shumë prekëse tek varri i saj pranë varrit të të dashurit të saj të jetës, Enver Hoxhës.

Pyetje Zoti Ilir, unë si gazetar kam parë si keni jetuar si familje pas vitit 1990. Keni provuar edhe burgun, edhe kushtet e jetesës minimale, ndërkohë që i kishit mundësitë edhe të shkonit jashtë shtetit e të jetonit diku, pasi thuhej se paratë nuk ju mungonin. Pse nuk e bëtë?

I.H. – Është e vërtetë që kam bërë burg sepse dhashë një intervistë në mbrojtje të figurës të Enver Hoxhës, jo vetëm si babai im, që kjo nuk diskutohej që do ta mbroja por edhe si udhëheqës i Shqipërisë. Ai ishte komandanti i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe kjo luftë u kurorëzua me një fitore madhështore ndaj nazifashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Pas çlirimit Ai ishte një reformator i madh. E shndërroi Shqipërinë nga një vend i prapambetur feudal, në një vend me një zhvillim të dukshëm në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike. U zhduk analfabetizmi, u zhdukën sëmundjet epidemike, u zhvillua bujqësia, u ndërtuan hidrocentrale, u elektrifikua i gjithë vendi, u ngit industria, u ndërtuan spitale, shkolla, universitete, akademira, u forcua ushtria, rinia u hodh në aksione për të ndërtuar Shqipërinë, vajzat e reja u çliruan nga zakonet prapanike të trashëguara nga e kaluara.

Kontributi atdhetar i Enver Hoxhës do të çmohet se me veprën e tij u përpoq dhe i siguroi Shqipërisë në planin e brendshëm, pavarësi, unitet kombëtar, shkollimin, edukimin dhe të ardhmen e fëmijëve, e tjera.

Në planin ndërkombëtar, gjatë 45 vjetëve, Shqipëria që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u prezantua në Europë dhe në botë, në organizma politike, ekonomike e kulturore ndërkombëtare me një imazh dinjitoz dhe të respektuar, si shtet serioz, i vendosur në mbrojtje të pavarësisë dhe sovranitetit të vet, si faktor paqe e stabiliteti në rajon.

Por e para që u dënua në demokraci, ishte nëna ime. Për ç’ka shkruhej në media dhe flitej në televizor, atë e bënin kriminele. Por ajo u dënua për kafe sa që gjyqi i saj u quajt gjyqi i kafeve. Kësaj i thonë u mbars mali e polli një mi.

Dënimin që nuk ia realizuan fashistët duke e pushuar nga puna si mësuese dhe dënuar me 14 vjet e 6 muaj burg në mungesë, sepse ajo doli ilegale dhe partizane, e realizoi gjykata në demokraci me urdhër nga lart duke e dënuar me 11 vjet duke qenë krejt e pafajshme, thjesht për kapriçiot e politikës dhe të forcave antikomuniste të mundura në luftë. Ajo e dinte se po bënte burg për Enver Hoxhën. Ishte e qetë dhe e fortë, pavarësisht moshës mbi 70 vjet. I vuri qëllim vetes të mos e turpëronte Shokun e jetës dhe ja doli.

Ajo qëndroi e fortë kur nga burgu mori vesh lajmin tronditës që Sali Berisha zhvarrosi Enver Hoxhën nga Varrezat e Dëshmorëve, duke i lënë dëshmorët pa komandantin e tyre. Gjithashtu, nga burgu, duke dëgjuar lajmet e BBC, siç bënte përditë, nuk i besoi veshëve kur BBC tha: “U arrestua Ilir Hoxha, djali diktatorit Enver Hoxha”. Për ta qetësuar, pavarësisht se dhe unë isha i shqetësuar, jo për vehten time, por për atë që ishte në një moshë të madhe, i shkruajta një letër, ku në thelb i thosha që duhet të qëndrojmë të fortë se po bëjmë burg për njeriun tonë të dashur.

Dhe korrespondenca e jonë vazhdoj si dy të burgosur politik. Ajo u përqendrua në shkrimin e librave me kujtimet e jetës së saj me Enverin, duke i hequr baltën që i kishin hedhur. Ajo për asnjë çast, moment nuk u lëkund nga parimet dhe idealet e saj dhe asnjëherë nuk e la pa e mbrojtur Enver Hoxhën, pavarësisht se Ai kishte mbrojtjen dhe dashurinë e popullit të thjeshtë që e kishte në zemër, sepse Ai përpiqej për të mirën e tyre.

Pyetje: – Megjithatë, unë sërish Ilir këmbëngul te pyetja që nuk më dhatë përgjigje: Pse nuk ikët jashtë shtetit pas vitit kur i kishit mundësitë? Në fund të fundit nuk do të ishit ju të parët…

I.H. – Për sa i përket pyetjes pse nuk ikët jashtë, përgjigjja ime është e thjeshtë: vendi im është Shqipëria dhe nuk më rëndonte asgjë në ndërgjegje që të më detyronte të largohesha.

Të bësh jetë modeste nuk është turp. Në kohën e socializmit, kam bërë jetë normale. Kam punuar jashtë Tiranës për disa vite kur mbarova fakultetin kur mund të qëndroja me punë, në qendër të Tiranës. Më pas kam drejtuar Institutin e industrisë ushtarake, kam mbrojtur tema shkencore dhe mora grada shkencore e titull’ profesor doktor.’

Në demokraci u pushova nga puna, u përballa me vështirësitë e jetës, persekutimet, burgun, mungesën e të ardhurave për të jetuar por ja dolëm sepse ishim të kalitur në aksione, zbore dhe për më tepër prindërit na kishin edukuar të ishim të thjeshtë, të edukuar, pa pretendime, të dashur me njerëzit dhe punëtorë. Kjo edukatë na bëri t’i kalonim vështirësitë që hasen në jetë.

Pyetje – A vazhdoni t’i përmbaheni idealeve të Luftës Antifashiste dhe viteve të socializmit në të cilat u personifikua Enver Hoxha?

I.H.- Lufta Antifashiste Nac-Çl ka qenë një faqe e ndritur e historisë të Shqipërisë dhe e popullit të saj. Ajo u fitua me gjakun e dëshmorëve të djemve dhe vajzave të reja që sakrifikuan jetën për ditën e madhe të çlirimit. Po ashtu prindërit e mi ishin pjesëtarë të kësaj lufte dhe kanë meritat e tyre në këtë fitore, në mënyrë të veçantë Enver Hoxha si komandant që udhëhoqi këtë luftë fitimtare. Unë respektoj dëshmorët e rënë por edhe të gjithë ata që ju bashkuan kësaj lufte dhe që fati bëri të ishin gjallë në mbarimin e saj.

Gjithashtu transformimet e mëdha në periudhën e socializmit ishin të padiskutueshme. Dhe unë ndihem krenar që kam dhënë kontributin tim modest në industrinë ushtarake. Uroj që brezi i ri t’a çojë përpara Shqipërinë tonë

Pyetje- A keni ndërmend t’i hyni politikës, apo të mbështesni ndonjë forcë politike si djali i Enver Hoxhës?

I.H.- Mënyra për t’u marrë me politikë ka kënd vështrimet të ndryshme. Familja ime ka qenë familje që është marrë me politikë dhe kjo dihet. Mua më takon në rradhë të parë, të mbroj figurën e Enver Hoxhës. Sa ishte Nexhmija gjallë, ishim të dy në mbrojtje të Atij pavarësisht se nuk mund të krahasohesha me Nexhmijen. Ajo kishte një inteligjencë të lartë politike që e kishte vënë në shërbim të atdheut dhe së fundmi në demokraci, në shërbim për t’i hequr gjithë atë llum e baltë që ju hodh Enver Hoxhës për interes të forcave të errëta.

Por, unë po e përsëris diçka që e kam thënë dhe më parë. Pa u vendosur Enver Hoxha në piedestalin e historisë, për rolin që ka luajtur në fitoren e luftës si komandant dhe reformator i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, në një vend me një zhvillim në të gjitha fushat, Shqipëria nuk do të ketë stabilitet dhe të gjejë “qetësinë shpirtërore”.

Për sa i përket votës, vota ime dhe e familjes time shkon per ata që mbrojnë Luftën Nacional-çlirimtare.

Pyetje- Mund të presim në të ardhmen episode të mbarë panjohura nga jeta e Enverit dhe Nexhmijes, letra, dokumente, fragmente, kujtime të panjohura e të tjera?

I.H. – Në arkivën tonë personale kemi shumë dokumenta, korrespondenca, letër këmbime të Enverit me Nexhmijen dhe anasjelltas që nga koha e luftës dhe deri sa rrojti babai. Prindërit e mi e në mënyrë të veçantë babai mbante çdo ditë ditar si familjar ashtu dhe politik.

Por edhe Nexhmija nuk mbetej mbrapa. Babai ishte i pa përtuar. Ai me një magnetofon dore të vogël e me durim incizonte nipërit dhe mbesat, fëmijët tanë kur kanë qenë të vegjël dhe janë kujtime shumë të bukura kur i dëgjon dhe i ruajmë me kujdes.

Nexhmija ka lënë materiale të shumta. Ka lënë dhe materialin e librit për burgun e saj, me korrespondenca, përshtypjet, miqësitë etj. Kemi në plan dhe diçka tjetër por nuk dua ta bej publike tani për tani, por kur ta mendojmë të arsyeshme.

Pyetje- Çfarë ju tha nëna në momentet e fundit?

I.H.- Ajo pati një vdekje shumë të paqtë. Nuk iku pa pritur. Nuk na mundoi fare sidomos Pranverën dhe Teuten që i bënin shërbimet. Para se të binte në koma, ishte koshiente dhe na tha “rrojta shumë, dua të shkoj pranë Enverit se ka kohë që më pret”.

Binte në koma e më pas mbas dy ditëve dilte vetvetiu nga koma, kërkonte ujë, fliste ndonjë fjale, na shikonte të treve që ishim tek koka dhe binte përsëri në koma. Pra nuk na iku “tinëzisht”, por na përgatiti.

Edhe në ditët e fundit të jetës së saj, Nexhmije Hoxha shprehte dëshirën dhe uronte me gjithë shpirt që Shqipëria, atdheu ynë i dashur të shpëtojë sa më parë nga kaosi politik, ekonomik e shoqëror që e ka mbërthyer politika e mbrapshtë e të gjithë atyre që e kanë drejtuar këtë vend në këta 28 vjetët e fundit.

Ajo dëshironte të ktheheshin vlerat morale që ka trashëguar populli ynë, vlerat që kanë mbajtur gjallë Kombin shqiptar, si humanizmi, unitetit dhe solidariteti mes vetë shqiptarëve, ndershmëria, respekti për gruan, vlerat e familjes, dashuria për punën etj. Mbi të gjitha, kërkonte që të triumfoi uniteti kombëtar dhe që Kombi Shqiptar, në historinë dhe kulturën e tij mijëra vjeçare, të fitojë dinjitetin e dikurshëm.

Ajo në moshën 99 vjeçarë botoi dhe librin e fundit të saj që e lodhi shumë. Shkrimi i saj që ishte shumë i bukur, i ishte prishur fare sepse shkruante ” si përmendësh” se nuk i shquante mirë gërmat. Kur e perfundoji librin tha:” tani po iki e qetë.”

Në fund të librit ajo shprehej:
“Harresa që po i bëhet historisë gati gjysmë shekullore të udhëhequr nga Enver Hoxha, për sukseset e arritura, një komb i civilizuar kurrsesi nuk mund të mohoi dhe të dhe të fshijë 50 vjet histori, një epokë të tërë që mban emrin e Enver Hoxhës, pa të cilin sot nuk do të gëzonim as këtë copë Shqipëri që na ka mbetur nga gjymtimi që i kanë bërë Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët ndaj them, jepini Enverit atë që i takon Enverit.

Kam bindjen që roli dhe figura e Enver Hoxhës në histori do të rehabilitohet dhe Ai do të vlerësohet siç e meriton si komandant i përgjithshëm i Luftës Nacional- çlirimtare, që siguroi Çlirimin dhe Pavarësinë e Atdheut; si udhëheqës dhe burrë shteti; si arkitekt i organizimit të shoqërisë shqiptare dhe i ndërtimit të shtetit modern shqiptar; si udhëheqës popullor që u përpoq për daljen e masave të popullit nga varfëria dhe prapambetja e trashëguar”.

Bottom of Form

Exit mobile version