Agim Sylejmani
Agim Sylejmani – intelektual nga Kosova (Gjilan), shkrimtar, publicist, studiues, moderator emisionesh televizive; veprimtar i Çështjes madhore Kombëtare; pjesëtar i luftës ilegale në Kosovën e para 1998-ës e, njëri nga luftëtarët e formacioneve ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
U dasht të presim 30 vjet për të marrë dikush guximin dhe kurajon për të shkruar të vërtetat e përjetuara në këto 77 vite të mbushura me lavdi e heroizma të papara nga gjaku i derdhur lumë i mijëra dëshmorëve e heronjve të atdheut e të popullit tonë, rënë heroikisht në LANÇ, kundër egërsirës nazi-fashiste pushtuese, por edhe kundër bashkëpunëtorëve me pushtuesit, si edhe kundër klasës shtypëse e shfrytëzuese të një populli të tërë në të kaluarën e errët të paraçlirimit të atdheut. U dasht të presim tri dekada që dikush ta thoshte me guxim intelektual e me shpirt shqiptarie të vërtetën, që kaq shumë na ka munguar e, që kaq shumë është sulmuar e, po aq shumë është trysnuar kushdo që ka dashur të thotë diçka rreth periudhës gjysmëshekullore të Shqipërisë socialiste, të Pushtetit Popullor. Fytyra e asaj Shqipërie të Demokracisë Popullore është zbardhur e ndriçuar nga puna, djersa, sakrificat e vetëmohimi, nga fryma atdhetare e përbashkuese e pashembullt e një populli të tërë, në luftën heroike rindërtuese e ndërtuese të Shqipërisë tonë të shtrenjtë, në epokën e pasçlirimit; me suksese e zhvillim të paimagjinueshëm, me prosperitet, arsim e edukatë të pashembullt në historinë tonë mijëravjeçarësh, por, fatkeqësisht, edhe me shëmtinë e këtyre 30 viteve të kaluara në gjoja palodemokraci, ku mbizotëroi e sundon ende krimi, korrupsioni, hajnia, prostitucioni… Pas 30 vitesh nga përmbysja e sistemit socialist, më në fund kemi në dorë një libër që ndriçon epokën e pushtetit popullor dhe kohës së riinstalimit të sistemit kapitalist në Shqipëri e kjo, e bërë realitet përmes përjetimeve personale të autorit, Isa Ferizaj, në librin e tij “Shqipëria në sytë e mi”, në dy vëllime voluminoze. Libri dyvëllimësh, “Shqipëria në sytë e mi”, shkruar nga publicisti dhe poeti tropojan, i mirënjohuri, Isa Ferizaj, është një libër i formatit çfarë i ka munguar hapësirës mbarëkombëtare shqiptare, që të ballafaqohet me të vërtetën e madhe gjysmëshekullore, në formë rrëfimi dhe përshkrimi autobiografik të rrugëtimit të tij jetësor, me rrëfimin artistik, plot ndjenjë, aq sa të duket se kemi të bëjmë me një prozë poetike emocionale, e cila të tërheq e të rrëmben, nga njëra faqe në tjetrën, nga njëri kapitull, tek tjetri. I tërë libri është i bazuar në faktet e bollshme e kokëforta të faktografisë së të dhënave kohore, duke krijuar kështu një libër monumental për atë kohë të lulëzimit të artit e të kulturës, të dijes dhe zhvillimit, të barazisë dhe prosperitetit, por edhe atë libër aktakuzë ndaj atyre që e rrëzuan Shqipërinë nga majat e lavdisë dhe e hodhën në fundin e errësirës, pas fundvitit 1990. Autori e ka ndërtuar librin e tij dyvëllimësh në formën e një inversioni stilistik letrar. Ky mjet stilistik shprehës, vihet re nga një sy i kujdesshëm, ku në vëllimin e parë, kemi nëntitullin: “Shqipëria – nga fundi i errësirës, në kryemajat e lavdisë” e, në librin e dytë kemi nëntitullin: “Shqipëria, nga kryemajat e lavdisë – në fundin e errësirës”. Inversioni stilistik letrar e shtjellues, në këto dy librat e Isa Ferizajt, me të njëjtin titull, nuk është vetëm ai letrari, por ai nënkupton shumëçka brenda atij libri dyvëllimësh dhe të duket sikur e shikon dhe i prek ato realitete që sillen me shumë mjeshtri artistike e faktografike nga autori. Ai është edhe “inversioni” shoqëror, ekonomik, kulturor, psikologjik, moral, botëkuptimor, familjar, buruar nga ai “inversioni” brenda vet njeriut. Në këto dy vëllime të librit të Isa Ferizajt, ndeshemi me rrëfimin mjeshtëror artistik, plot ngjyrime figurative letrare; ndeshemi me analizën e thellë, plot forcë logjike; ndeshemi edhe me të dhëna aq të shumta statistikore, aq sa na krijohet ideja se a mos kemi në dorë një libër statistikor të një autori staticien. I gjithë libri në të dyja vëllimet e tij, “flet” me një gjuhë të rrjedhshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat e lexuesve e kjo, falë vramendjes e kujdesit të autorit. Isa Ferizaj, i cili përmes këtij libri ia arrin t’i ofrojë lexuesit një tabllo shumë transparente, të kuptueshme dhe të realtë të periudhës së Shqipërisë së Pushtetit Popullor, deri në fundvitin tragjik të 1990-ës, vit i përmbysjes së gjithë asaj kalaje të ndërtuar për pesëdhjetë vjet, me shumë mund, me shumë djersë e me po aq sakrifica mbinjerëzore e të vetëdijshme të disa brezave njerëzorë me radhë. Autori i dy vëllimeve të këtij libri, me një guxim të rrallë i është rrekur punës për të trajtuar një çështje, e cila për nënqiellin shqiptar sikur është mbetur tabu, si një gjë heretike. Por, në të vërtetë ai nuk bën asgjë tjetër, as më shumë e, as më pak, sesa një ‘detyrimi’ që ndjen ndaj Kryenënës Shqipëri, këtë përmes shpalosjes së rrugëtimit të tij jetësor nëpër kohërat që ai i jetoi, duke përshkruar 392 393 edhe të përceptuarit e tij për çdo gjë që përjetoi dhe e rrethoi atë ndër vite. Ai përshkruan rritën e tij dhe e krahason me rritjen e Atdheut, të cilin ai me të drejtë e quan Kryenëna Shqipëri. Autori na mahnit me një memorje të shkëlqyer, thuajse ka mbajtur ditar të përditshëm dhe të hollësishëm, për gjithçka që ndodh rreth tij dhe, me atë vet. Që në hyrje të librit, titulluar “Dy fjalë parathënëse”, autori Isa Ferizaj vë theksin tek dashuria për mëmëdheun, dashuri e përcjellur brez pas brezi, duke e tërhequr një paralalele krahasimtare sikur në mes të lidhjes nënë – fëmijë. “Nëna ime biologjike nuk vdiq, sepse u bë, brenda vetëdijes time, një me nënën që më rriti”, rrëfen autori, të cilit nëna që e lindi i vdiq kur ai ishte vetëm një vit e gjysmë, por fati i mirë e deshi që ai të binte në duart e në gjirin e nënës që e rriti dhe që i ofroi aq shumë dashuri, sa ai thuajse nuk e ndjeu kurrë mungesën e nënës së tij biologjike, për të konstatuar me të drejtë nga ai se, “Edhe Mëmëdheu na ushqen lidhjet tona, lidhje pa të cilat s’do të kishim as emër, as këtë gjenin e racës tonë. Kështu, sa të rrojë Mëmëdheu, rron edhe lidhja nënë – fëmijë, shqiptarë–Mëmëdhe (Shqipëri) si nga ana reale, por edhe nga ajo shpirtërore e metaforike. Lidhje të tilla kapërcejnë përtej vdekjeve për ta mbajtur të pashkëputur këtë fill jete, sa magjik edhe aq hyjnor”. Sa bukur e thotë autori, “Lidhje të tilla kapërcejnë përtej vdekjeve…”, duke treguar forcën dhe madhështinë e kësaj dashurie brezash ndaj Mëmëdheut, dashuri të trashëguar… prej kush e di se ç’kohërash të largëta që nga fillzënia e jetës së racës tonë shqiptare. Dhe kulmimin e kësaj dashurie autori e shpreh në klithmën e tij shpirtërore përmes emrit “Kryenëna Shqipëri!” Duke lexuar librin, krijon përshtypjen se Naimi i madh do të dukej i vogël kundrejt Autorit, i cili shpërthen me një dashuri të paimagjinueshme për atdheun, për kombin, për Kryenënën Shqipëri, të cilën ai e quan si “një simfoni lirike”, herë si “një ylbernajë mbi kreshta majash historike”, herë si “një fllad agimesh bjeshkore, herë si…..”, duke ia vargëzuar si në gjoks i vargëzohen Heroinës, si stolitë më të çmuara të një jete heroike, të gjitha “dekoratat” e meritueshme, por duke ia vargëzuar si në një poemë të gjatë, edhe të gjitha epitetet zbukuruese e dashurore, të mundshme e të merituara, “Kryenënës Shqipëri”! Dhe të duket se të rikthehet fuqishëm thirrja e tij për Kryenënën Shqipëri se, “Ajo është balsami i shpirtit tim, është kryeshkolla e barazvlershme me jetën time.” Vendi ku u lind autori më 06.07.1953 quhet “Bjeshka e Ujezës” e, më konkretisht ish-tela e “Përroit të Molliqit” dhe, fshati ku u rrit quhet Lugu i Tropojës. Autori, që në nisje të librit të parë ndalet edhe në prejardhjen e emrit të trevës së tij, Tropojës, që e shpjegon fare bukur dhe bindshëm. “Forma foljore „trupoj” me shndërrimin e zanorës „u” në „o”, shndërrim i cili ka ndodhur brenda evolucionit gjuhësor edhe ndër fjalë të tjera të gjuhës tonë amtare, ka dhënë fjalën emërtuese „Tropojë-a”. Me këtë emërtim u quajt „Tropoja e Vjetër” që ishte porta e mbrame për t’u hedhur në rrafshin e Dukagjinit e, në fushat e Kosovës, por edhe porta e parë për të ardhurtit nga Kosova për t’u hedhur në krahinat e përtej Drinit, duke trupuar lumin e frikshëm, Drin”. Përkatësinë krahinore autori e paraqet me të drejtë me një ndjenjë krenarie të skajshme edhe përmes vargjeve: “Ky vend ku linda quhet Tropojë e, unë jam tropojan! / Jam malësori zemërstrall, jam tropojan, / Sa herë, vrarë e prerë, jam për vatan!” Edhe në këto vargje, si në një shpërthim shpirtërore, autori lidh çdo gjë me atdheun e tij. Vëllimin e parë të librit autori ia kushton jetës së tij, rritës së tij, e me të edhe rritës së Tropojës së tij, njëkohësisht edhe asaj të Shqipërisë së Pushtetit Popullor. Këtu ai ndan dy epoka, të cilat i quan kryeepoka, atë të LANÇ dhe, atë të ndërtimit të Shqipërisë së Re e Socialiste. Ai jep një tabllo shumë të hollësishme për një pjesë të banorëve të qarkut ku bën pjesë edhe Tropoja e tij, për jetesën e tyre, kushtet 394 395 e kësaj jetese dhe punët me të cilat merreshin për të mbajtur framiljet e tyre para luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë LANÇ e, sidomos gjatë rindërtimit e ndërtimit të vendit pas asaj lufte. Përshkrimi i hollësishëm gjeografik i tërë krahinës së Tropojës, të bën të ndjehesh sikur je duke udhëtuar me autorin, sikur e ke njohur kaherë atë bukuri të rrallë, që vetëm natyra din të ta falë në ato forma e, në ato shpërfaqje bukurie deri në madhështi vlerash e përmasore. Gjetja e bukur metaforike e krahasimit të rrugëve që përshkojnë regjionin, me arteriet e trupit, lë mbresa të pashlyera kujtimesh të autorit tek lexuesi, dhe të duket se ato rrugë po i kalon bashkë me të, sikur në një rrjedhë të natyrshme gjaku në “damarët e trupit” të atdheut, ani se shumica e rrugëve ishin të pashtruara me asfalt dhe të vështira për të ecur nëpër to. Por edhe pse të atilla ato rrugë, autori na thotë se në të ritë e tij, ai fluturonte atyre rrugëve. Kishte vetëm dy rrugë automobilistike, e para, e ndërtuar për një kohë të shkurtër në vitin 1952, vit kur udhëheqësi i madh i kombit tonë Enver Hoxha, vizitoi Tropojën e popullin e saj besëlidhur me PKSH dhe Enver Hoxhën, ku, nga ai takim, edhe me propozimin e malësorëve, udhëheqësi i lavdishëm, e kishte “pagëzuar” qytetin e ri që po ndërtohej në zemër të Alpeve, me emrin e një “Heroi të Popullit” të atyre anëve, “Trim tribuni të vegjëlisë”, “Div dragoit të Dragobisë”, “Plakut të maleve” e, “Fatosit të lirisë”, Bajram Currit. Autori i librit dyvëllimësh “Shqipëria në sytë e mi”, i mbetur jetim, pasi i kishte vdekur e ëma, tregon me plot ndjenja dashurie e mirënjohjeje të zjarrtë për rrugëtimin e tij jetësor, veçmas atë nën kujdesin tamam prindëror të xhaxhait të tij Halimit e, të bashkëshortes së këtij xhaxhai, nënës Sabrie, e cila u bë nënë e vërtetë për të. Ai tregon, jo pa një emocion të veçantë për veten e tij, duke na treguar një ndjesi të vërtetë, të përjetuar prej tij, kështu: “Sa herë jam përpjekur që ta merrja me mend edhe figurën e nënës time biologjike e, kur arrija të krijoja një përftyrim gati – gati ëngjëllor për të, ajo figurë më shkrihej para syve të mendjes time, duke më dhënë portretin e Nënës Sabrie!”, dhe s’kishte si të dilte ndryshe, nga vetë dashuria e pakufishme e kësaj malësoreje që i dhuroi aq shumë dashuri, duke ia zëvendësuar më së miri nënën e tij biologjike. Fati i autorit, si fëmijë, vazhdon me shkuarjen e tij, së bashku me familjen e xhaxhait të tij, Halimit, në qytezën e minatorëve, në Kam, i cili bashkë me familjen e fëmijët e tij, për arsye pune, jetonte e punonte aty. Në fakt, ai me Agimin, djalin e xhaxhait, pothuajse në çdo fillimviti shkollor, për një muaj, e ndiqnin, që nga klasa e parë, pak kohë në fshatin Viçidol, por më gjatë edhe në fshatin Markaj, tek daja Sali Mani, por edhe në qytetin Bajram Curri, kur kishin kaluar në klasën e pestë. Dy klasët e para të shkollimit i kreu, së bashku me Agimin, në fshatin Leniq. Kështu filloi odisejada dhe rrugëtimi i shkollimit të autorit, edhe pse ishte akoma një fëmijë vetëm shtatë vjeç dhe larg familjes së tij të ngushtë dhe larg babës Demush. Ai s’u bë, as s’u ndje kurrë “i huaj” në familjen e xhaxhait të tij, sepse ai gjeti aty një dashuri të pakufishme nga gruaja e xhaxhait, gjeti nënën e tij të mrekullueshme që e rriti dhe edukoi, duke e përgatitur për jetën, por që kurrë s’diti ajo nënë ta dallonte a, ta veçonte, nga fëmijët e saj. Do të veçoja tabllon e krijuar kur, pasi i kishte larë të gjithë fëmijët me radhë, edhe Isain, në një mbrëmje dimri, ata të gjithë së bashku mblidheshin në kuzhinë, pranë sobës që kërciste nga zjarri. Ajo ngrohtësi mjedisore kishte brenda edhe ngrohtësinë shpirtërore të nënës për fëmijët, por edhe të fëmijëve për nënën e tyre. Pasi ata, fëmijët ishin ngrohur mirë nga zjarri i sobës, atë zjarrin e dashurisë së zemrave të tyre donin t’ia falnin nënës së tyre, përmes përqafimeve dhe puthjeve, si prej nëne e, si prej fëmije. Sa bukur tregon autori për ato skena mëse të madhërishme dashurie mëmësie. Isai i vogël, për një çast, tek po i shikonte fëmijët e nënës 396 397 Sabrie se si e pëqafonin atë dhe, ajo ata, sikur humbet në imagjinatën e tij dhe fluturon larg, shumë larg atyre çasteve reale që ndodhnin para syve të tij. “Më bëhej se vetëm një fije e padukshme më mbante pezull, lidhur me këtë botën reale”, shkruan autori. Nga kjo gjendje ireale e shkund thirrja e nënë Sabrijes: “Hë, more Isa, pse s’po vjen edhe ti të më rrokësh?! Edhe ty të kam djalë!” Ndjeshmëria ime si lexues i kësaj skene plot dashuri njerëzore, më bën të parafytyroj një djalë të vogël, një fëmijë që ndjehet për një çast, paksa i vetëm, paksa si i “huaj”. Dhe jo kot, autori thotë: “Them të drejtën, sikur u „tremba” atë çast, sikur kur të zgjojnë papritur nga një gjumë i thellë. M’u duk se rashë në tokë, nga një lartësi nga ku isha „varur” me atë „fijen e padukshme”, „lartësi” që nuk shikohej e as prekej dhe, erdha në vete. Sidomos kjo shprehja, “Edhe ty të kam djalë”, sikur ma fali tërë botën, me të gjithë dashurinë që mban ajo brenda. U ngrita dhe iu hodha në prehër, si njëri nga fëmijët e saj, pas atij deklarimi shpirtëror e gojor, plotësisht të vetëdijshëm, prej një nëne të madhërishme për mua. Pas atyre fjalëve të magjishme e me forcë hyjnore, për mua, m’u duk se ajo u bë, e tëra, e imja. Edhe ajo, me tërë dashurinë e shpirtit të saj të madh, në atë çast si magjik edhe për të, më rrëmbeu në gjirin e saj, sikur ato kohërat kur edhe gji më kishte dhënë nga gjiri i vet … pasi ime nënë, aso kohe, s’kishte pasur mjaftueshëm qumësht nga gjiri i saj për të më ushqyer mjaftueshëm. Edhe unë e përqafova fort dhe ia fala me tërë zemër dashurinë time, sa për dy nëna! E ndjeva edhe në atë çast aromën e ngrohtësinë e zemrës së saj, aromë e ngrohtësi që ishin më të mirat në botë, aromë e ngrohtësi prej nënës, më!” E veçova këtë skenë enkas, se më dukej sikur po shoh një skenë të teatrit apo një tabllo filmi para syve, derisa e lexoja dhe, thuajse më përfshiu në vorbullën e një dashurie të pakufijshme të kësaj nëne të mrekullueshme shqiptare, e cila nuk diti të dallojë Isanë e vogël nga fëmijët e saj. Vetëm mga kjo skenë, nga një skenarist i shkathët, do të mund krijohej një film i mrekullueshëm. Gjatë rrëfimit në vetën e parë autori, në mënyrë fare të natyrshme, shkëputet nga e tashmja, për të treguar të kaluarën, duke përshkruar fare thjesht dhe kuptueshëm edhe mënyrën jetësore të asaj kohe në ato vise të Shqipërisë së paraçlirimit, kur mbizotëronte mosdija, injoranca, moszhvillimi, zakonet e mbrapshta, por edhe dukuritë e shëmtuara negative të vëllavrasjes dhe gjakmarrjes…! Autori të duket se bëhet “avokati” i bashkëmalësorëve të tij, bile edhe të atyre që kishin lindur shumë kohë para tij dhe para çlirimit të atdheut, kur na thotë për ata dhe kohën e tyre: “ … në atë kohë, jo për fajin e njerëzve të atyre zonave e krahinave, por për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit e të kulturës, por edhe të pamundësisë së njohjes në ato rrethana historike të asaj kohe, që ngjante me një pellg uji që nuk lëviz, por që mbyste brenda vetës, jetët njerëzore me ëndrrat e shpresat e tyre”. Dhe, përnjëherë e lidh shumë bukur me një zgjim të gjithmbarshëm, sikur kur zgjohet njeriu nga gjumi letargjik, kur në terr, ngadalë, por sigurt, futet drita, e reja, përparimtarja, dija dhe prosperiteti, dhe kjo nuk ndodhte vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, pra edhe në Tropojën e dashur të autorit. E kush kishte mundur të mendonte, para çlirimit se një ditë edhe Lugu i Tropojës do bëhej me shkollë për fëmijët e fshatit e, do të kishte për mësues birin e atij fshati, autorin e këtij libri? Këtu autori, me plot mjeshtri artistike dhe me po aq realizëm, na i sjell para syve mjetet me të cilat është bërë ndriçimi në ato kohëra të largëta të errësirës në Malësi, si: llamba me vajguri, bishtukun (kandilin me vajguri, ose gazin), por edhe fenerin me vajguri, ndërsa kishte prej tyre që përdornin edhe pishë për ndriçim. Duke treguar se si në kohërat e kaluara njerëzit ushqeheshin në një enë të gjithë së bashku, “… tani secili filloi të hante ushqimin e tij në pjatën e vet, të pinte ujin në gotën e vet”, konstatim ky që fliste për lindjen e normave e të rregullave të reja përparimtare, falë jetës në lirinë e vërtetë. Pra, sistemi i vendosur në Shqipëri pas çlirimit, kishte filluar një ndryshim rrënjësor edhe 398 399 të mënyrës së jetesës, duke bërë, siç shprehet autori i librit “… edhe njëfarë ndërhyrjeje „kirurgjikale” në mendësinë e njeriut, për ta përzënë terrin mendor që andej…”. Gjithë këtë arritje autori, me të drejtë, ia atribuon sistemit të ri shoqëror të instaluar dhe zbatuar në Shqipërinë e pasçlirimit, të prirë nga PKSH – PPSH me Enver Hoxhën në krye, por edhe punës vetmohuese të një populli të tërë të bashkuar rreth PPSH-së. Autori e mban mend fare mirë odën e burrave, ose siç quhet sot ajo e asaj kohe, “Universiteti popullor”, e cila kishte një standard më të lartë mobilimi sesa pjesët e tjera të shtëpisë. Bile edhe ndriçimi bëhej me llamba më të mëdha vajguri, gjë kjo që fliste asaj kohe edhe për respektin e “institucionit” popullor, “Sobës së burrave”. Autori na tregon bukur e rrjedhshëm, me një gjuhë të kuptueshme edhe faktin se si e ndjente ndryshimin e jetesës edhe Tropoja e tij të dashur e Pushtetit Popullor. Pushteti i ri, i popullit, po sillte norma të reja të një jete të re, duke “mbushur zbrazëtirat e mosdijes në trurin e popullit, me dije, njohje, me dritë e me norma e rregulla të reja të kohërave të Epokës së re”. Këto fakte e, plot të tjera si këto, autori i librit dyvëllimësh në fjalë, nuk i lë t’i shpëtojnë nga vëmendja e, të mos i pëdorë me shumë efektivitet si “armë”, shifrat dhe faktet, në ballafaqimin me kohën regresive të Shqipërisë në vjetët e pasnëntëdhjetës. Autori u rrit në një familje me tradita atdhetare, u rrit me këngët për heronjtë e atdheut, me tregimet për partizanët çlirimtarë e fitimtarë të Brigadës XXV –S, të trevës së tij, për trimeritë dhe luftrat e atyre trimave e luftëtarëve atdhetarë, të të gjitha moteve, për mbrojtjen e trojeve arbërore, të trashëguara brez pas brezi, përballë synimeve grabitqare të armikut të përbetuar antishqiptar shovinist “shkja”. Këto tregime e këngët kushtuar trimave dhe heronjve shqiptarë, iu bënë autorit edhe shkolla e parë e mësimit dhe e përvetësimit të atdhedashurisë. Vijëzeza ndarëse e trupit të përgjysmuar të Atdheut, e cila kalonte përmes vendit ku ishte lindur dhe ardhur në jetë autori, Përroi në anën e këtej Drinit dhe Molliqit përtej Drinit në Kosovë, sikur kallë flakë shpirtin poetik të autorit, ku për një çast të krijohet përshtypja se nuk është autori ai që shkruan, por vetë i madhi Aleksandër Moisiu duke buçitur në skenën e tragjedisë së madhe shqiptare, të luajtur mbi tavolinat e të “mëdhenjve”, mbi trupin tokësor e shpirtin tonë arbëror. Piskama e autorit sikur çan edhe stratosferën nga dhembja për pjesën tjetër të trupit të pushtuar të Atdheut. “Por, sikur për ta sfiduar e kompensuar këtë ndalim fizik e të mallkuar “fluturimi”, shikimi im “fluturonte… fluturonte … heeej sa larg” përtej asaj “vije” të mallkuar kufiri…”, shpërthen gjoksi i autorit nga britma për dhimbjen e madhe të copëtimeve çnjerëzore, shpirtërore, dhimbje ato, krijuar me ndarjen përgjysmë të trungut arbëror. Autorin, përnjëherësh, sikur e gjejmë në mesin e atyre që kishin hapur gjokset për lirinë e pjesës së pushtuar të atdheut, sikur edhe ai marshon me luftëtarët e lirisë që bartnin në ballë shenjën aq të dashur për çdo shqiptar, kudoqoftë në këtë rruzull tokësor, ato tri germa të arta të mbuluara me lavdi, “UÇK”, luftëtarë të së cilës kishin gjetur mikpritjen dhe ngrohtësinë, por edhe mbështetjen e ndihmën e malësorëve trima e atdhetarë të trevës së tij, por edhe të familjes atdhetare të autorit, familjes së madhe Ferizaj në Lugun e Tropojës. Këtu sikur shpërthen autori, për shkak të padrejtësisë së radhës që i bëhet kombit dhe atdheut tonë edhe pas derdhjes së lumenjve të gjakut të rinisë shqiptare në luftën titanike për çlirimin e Kosovës. “Falë atij gjaku të derdhur nga bijtë e bijat më të mirë të kombit tonë, andej e këndej asaj thikëvije në zemrën e tokës e të kombit tonë, Kosova është e lirë nga Serbia, por që ajo, ndonëse paradoksalisht, ende e pabashkuar me trungun amë, falë politikës antishqiptare të kësaj Evrope shpirtplakur e aleate e vjetër e hasmit tonë ish pushtues, Serbisë…”. 400 401 Të duket se zëri i autorit Isa Ferizaj, ngrihet si kushtrim i një lufte, ende të pambaruar. Ai zë i autorit është zëri në bashkësinë e zërave të kombit tonë, që buçet fuqishëm kundër burgosjes së luftëtarëve çlirimtarë të UÇK-së. Këtu sikur buçasin bjeshkët nga kraharori i autorit kur thërret në kupë të qiellit kundër padrejtësive ndaj kombit. Të duket se ai zë i autorit, buçet si shpërthim rrufeje edhe në kancelaritë e kësaj Evrope hileqare ndaj kombit tonë, por ç’e do, se kjo Evropë s’ka vetëdijen për ta dëgjuar këtë zë që buron nga zëri i shqiptarisë. Isa Ferizaj, jo vetëm kundër politikës antishqiptare të Evropës “shpirtplakur”, por edhe kundër pushteteve në të dyja anët shqiptare, e ngre fuqishëm zërin e tij, prej atdhetari, pasi autori, konstaton se po tradhtohen interesat madhore kombëtare nga ata që vijnë në pushtet, radhë pas radhe. Libri i autorit, ndonëse nuk flet posaçërisht për Kosovën, Kosova ndjehet kudo, në këtë libër dhe, këtë konstatim e ndjejmë kur autori thotë: “I hodha këto pak refleksione të miat për Kosovën e shqiptarisë, këtu në këtë libër, pasi edhe Kosova është Shqipëri!” Autori iu bën një përshkrim brilant, iu ngre “përmendore” shpirtërore njerëzve që i falën dashurinë, ngrohtësinë, që ndikuan në edukimin dhe burrërimin e tij, duke vlerësuar lart veçoritë njerëzore të tyre, si një lloj mirënjohjeje dhe falenderimi për ato që i dhanë atij ndër vite, në kohën kur ai kishte më së shumti nevojë. Është për t’u vlerësuar nga puna e autorit me librin e tij se, në të shumtën e rasteve ku të tjerët përdorin fjalën e huaj në vend të fjalës së bukur shqipe, ai përdor fjalën shqipe, duke vënë në kllapa, pranë saj, fjalën e huaj gjegjëse, sikur për të na thënë të gjithëve se gjuhën tonë amtare, sot po e mbytim vet ne shqiptarët, me fjalët e panevojshme të gjuhëve të huaja. Në librin e parë ka plot detaje nga jeta dhe traditat e bukura shqiptare, sjellje këto të qëllimshme nga autori, për të na thënë se, kudo e kurdoherë, shqiptari i ka rrënjët në tokën e vet e, prej andej ushqen zemrën e vetëdijen, kudo që të ndodhet në këtë planet. Nga libri mësojmë se Tropoja kishte krijuar të dytën çetë partizane, pas asaj të Pezës në Shqipëri, “Çetën partizane të Tropojës”, krijuar më 12 maj 1942, në Grykën e Dragobisë. Kjo datë për tropojanët ishte një “Yll i artë” në kurorën e lavdisë së tropojanëve atdhetarë, dëshmorë e heronj të atdheut e të lirisë. Autori i librit në fjalë tërheq një lidhmëri logjike për dy figurat qendrore të kombit “që i radhitën shqiptarët në krahun e fitimtarëve e të lavdisë që i kapërceu përmasat e trojeve të tyre, që Epokat e tyre i vulosën me emrat e tyre lavdimbuluar, pa pikë dyshimi janë: Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe, Enver Hoxha”, duke konstatuar me të drejtë se “ata, të gjitha pikat thelbësore të jetës e veprimtarisë së Tyre në shërbim të Atdheut e të Kombit i kanë të njëllojta, të ngjashme si dy pika vese pranverore të mëngjeseve bjeshkore të truallit të tyre, Shqipërisë”. Pastaj numëron dhjetë pika të takimit midis këtyre dy figurave kulmore të kombit dhe atdheut, duke konkluduar se “Ata, përbëjnë dy pjesët e të njëjtës zemër të Kombit të tyre; përfaqësojnë përbashkësinë e të dyja dialekteve kryesore të të njëjtës gjuhë, shqipes dhe, dy shqiponjat e Flamurit tonë Kombëtar, të njëjtësuara në një shqiponjë dykrenore e krenare, në zemër të këtij kryesimboli kombëtar!” Ai, në lidhje me këto dy figura historike madhore kombëtare, përforcon mendimin e tij logjik se, “Këto dy figura historiko – legjendare, nuk mund të kuptohen pa njëra – tjetrën, pa lavdinë e tyre të përbashkët, pa madhështinë e njëjtë, pa identifikimin e tyre me kombin e Atdheun e tyre të njëjtë…!” Autori nuk e fsheh dashurinë e skajshme për figurën e madhe të kombit, Enver Hoxhën, por, as nuk e glorifikon Atë, duke sqaruar këtë me bollëk të dhënash e faktesh të pafundta. Ai nuk ishte anëtar i PPSH-së, por vetëm kandidat për anëtar partie në vitin ogurzi 1990, pak para fillimit të aktit të tragjedisë 402 403 shqiptare. Qëndrimi i autorit në tërë ato vite të mbrapshta e tepër të vështira, përkrah idealit më të pastër njerëzor e, atij kombëtar, është një vlerë e rrallë midis vlerave të asaj treve plot vlera e urtësi të gjithëfarëllojshme. Mirënjohja e autorit vjen natyrshëm, si për njerëzit që u kujdesën për rritjen, edukimin e shkollimin e tij, por edhe për vendet që e “mësuan” shumë, por që i lanë edhe mbresa të pashlyeshme në jetën e tij. Nga ana e autorit, banorët e fshatit Helshan, në trevën e Hasit, ku përfundoi tri klasët e para të shkollës 8-vjeçare, përshkruhen me plot respekt, si njerëz shumë punëtorë, bujarë, mikpritës, dashamirës e njerëzorë, prej të cilave, thotë ai, “’vodha’ edhe unë, nga vlerat e tyre”. Këto vlera të çmuara njerëzore jo vetëm ruheshin nga pushteti popullor dhe bëheshin si normë njerëzore për jetën, por kërkohej që ato të përcilleshin tek brezi i ri, sepse paraqitnin një pasuri të rrallë kombëtare, vlera të cilat kombin tonë e dallonin nga popujt e kombet e tjerë që e rrethonin. Autori këtu sikur shpërthen në zemërim e trishtohet, kur tërheq paralelen me të sotmen: “Ndjehem keq e i trishtuar kur shikoj sot, sesi, që pas përmbysjes së rendit socialist në vendin tonë, në fundvitin 1990, njerëzit sikur janë „ftohur” me njëri-tjetrin, sikur janë kthyer në „ujqër” për njëri-tjetrin, sikur janë dhënë tmerrësisht pas fitimit, ata të paktët që e kanë mundësinë dhe, kanë harruar vlerat e shumta e të larta morale e njerëzore që i patëm si individ e si shoqëri, në kohën e Socializmit!” Gjatë pushtetit popullor, edukimi i brezave, si nga prindërit, po ashtu edhe shkolla e shoqëria, bëhej me qëllim të krijimit të lidhjeve të shëndosha ndërnjerëzore, për krijimin e një shoqërie të shëndoshë e me perspektivë, të denjë për të qënë kombi ynë i ardhshëm. Këtë e thotë edhe autori, “Këtë realitet e kam përjetuar, e kam provuar, shijuar e, parë me sytë e mi, tërë jetën time, në Epokën lavdimadhe moralshëndoshë të Pushtetit Popullor”. Në librin e Isa Ferizajt, jepet jeta reale e një vendi që zien nga puna ndërtimtare dhe, e një populli që jeton me dinjitet, me krenari dhe, pa shtypje e shfrytëzim nga njeriu, që e jeton jetën e vet në lirinë e vërtetë. Shkëputja nga një nëntemë dhe trajtimi i një tjetre, bëhet aq natyrshëm, sa nuk ia humb as kuptimin por as fillin e rrëfimit, siç bën këtu, duke rrëfyer “…se si burrat që bisedonin me njëri-tjetrin në atë odë burrash, ruanin një rregull „të artë”, ndonëse të pashkruar askund, veçse në vetëdijen e çdo të rrituri! Ata e dëgjonin me respekt njëri-tjetrin dhe, nuk i ndërhynin në bisedë bashkëbiseduesit deri në përfundim të shprehjes së plotë të mendimit të tij”. Këtu preket sikur me pincetë një edukatë e artë e brezave të “shkolluar” nëpër odat e burrave, ku respekti ndaj fjalës së tjetrit kishte një peshë të madhe kulturore dhe emancipuese, derisa sot në kohë “demokracie” kjo kulturë komunikimi thuajse është zhdukur, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë më parë, gjë e cila autorit i shkakton një dhëmbje të madhe shpirtërore, për këto humbje të shumta të vlerave tona njerëzore e kombëtare. Me një mjeshtri të rrallë artistike autori i përshkruan gjërat, duke na i bërë aq të afërta, sa na duket se jemi duke e parë veprimin e përshkruar, siç është edhe përgatitja e duhanit nga gjyshi i autorit, prerja në havan dhe tharja e tij, për ta mbushur pastaj kutinë për vete, por edhe për miqtë e tjerë. Këso përshkrimesh ky libër ka me bollëk dhe aq tërheqëse sa të ngurthon me libër në dorë derisa të përfundosh, jo vetëm atë pjesë të rrëfimit, por edhe tërë kapitullin. Sidomos përshkrimi i hollësishëm i fshatit të tij, Lugu i Tropojës dhe, krahasimi i tij me vitet para të 90-ave me vitet pas të 90-ave, autori e bën me aq mjeshtëri artistike, aq tërheqëse, sa të krijohet përshtypja se ai të merr për dore dhe me ty rrugëton trup e tërthor fshatit, duke të rrëfyer për të si një ciceron profesonist dhe me përvojë, pa i ngelur asgjë pa përmendur, jo për llafazanëri, por në nderim e respekt të pakufishëm të vendit të tij. 404 405 Isai, si fëmijë, ishte i dashuruar me natyrën, e sidomos me bjeshkët, ku ai u rrit e u burrërua, prandaj ndjen dhimbje thellë në shpirt, kur sheh dorën barbare e vrastare që shkatërron dhe vret natyrën. “Ja, këto ishin pyjet tona që ligji i shtetit të asaj kohës së socializmit i mbronte sikur të ishin njerëz, … tashmë, pas vitit 1990, me përmbysjen e socializmit e, me ardhjen e kësaj „demokracisë” borgjeze edhe atyre pyjeve iu vu flaka e zjarri e, u shkrumbuan. ….” Në gjithë librin hasim në epizode rrëfimtare për persona të caktuar dhe, në ndonjë rast, edhe për bëmat e tyre, siç ishte rasti me axhën e Isait, Qazim Ukë Ferizaj, për të cilin thotë se “Shquhej për bukëdhënie, për besnikëri ndaj Çështjes Kombëtare. Ishte si një zjarr i ndezur për Bashkimin Kombëtar. Besnik deri në vdekje i Enver Hoxhës dhe idealit të Tij e, atij kombëtar. I vendosur deri në vdekje për të kryer çdo lloj detyre që i ngarkohej, sado e vështirë që të ishte, kur e lypnin interesat madhore kombëtare”. Këtu mund të them, ani se unë nuk besoj në telepatira apo bestytni tjera, por vdekja aksidentale në një aksident komunikacioni në Kosovë, derisa kthehej nga një aktivitet kushtuar figurës së idolit të tij, Enver Hoxhës, pikërisht më 11 prill 2018, nuk ishte e rastësishme. Pra, si jo rastësisht 11 prilli i mori jetën këtij patrioti të përkushtuar për çështjen e madhe të bashkimit kombëtar, Qazim Ukë Ferizaj. Për të ka shumë historira, sa reale aq edhe gati si të pabesueshme, siç ishte edhe rasti gjatë shërbimit ushtarak në postën kufitare të Trestenikut, në rrethin e Korçës, në vitin 1956, kur ai mund, i vetëm, njësitin diversionist dhe e vë përpara duke e dorëzuar në postën e tij kufitare, si ushtar fitimtar i ushtrisë së Kryekomandantit fitimtar, Enver Hoshës. Për këtë akt trimërie e heroizmi të Qazimit, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, Enver Hoxha, organizoi një pritje të veçantë me rastin e Festës së Kufirit, të 25 prillit. Mjaft interesant e me mjeshtri sillet edhe rasti i garave në Olimpiadën sportive të organizuar midis ushtrive të shteteve të demokracive popullore të Ballkanit, diku nga mesi i viteve ’50-ta të shek. XX, kur në garat e qitjes, Qazimi i fitoi të gjitha pikët. Por, në garën e tërheqjes së litarit, skuadrës përfaqësuese të ushtrisë shqiptare i bie të „matej” me skuadrën e ushtrisë jugosllave. Duke qenë i pari në litarin e tërheqjes, për garuesit shqiptarë, në një moment dobësie të skuadres ku bënte pjesë, “përveç se me duar, e kap edhe me dhëmbë litarin dhe, skuadra sikur mori nga dheu fuqinë për ta mposhtur, siç e mposhti në fakt, skuadrën jugosllave”. Këtë çast me dhëmbë në litar, sipas autorit të librit, – e fiksuan gazetarët dhe “të nesërmen ishte publikuar në faqet e gazetave të shteteve të tyre, ashtu si edhe në shtypin tonë”. Kjo figurë e dashur për autorin, por edhe mjaft interesante dhe tërheqëse edhe për lexuesin, zë një vend të merituar në vetëdijen e autorit, por edhe në librin e tij. Duke e lexuar, sidomos vëllimin e parë, lexuesi njeh edhe plot ndodhi interesante, që lidhen me këtë personazh real, që jo vetëm ishte betuar, por i kishte vënë vetes edhe një qëllim jetësor, “për të punuar tërë jetën për të mirën e jetësimit të kryeëndrrës së breza e brezave të shqiptarëve të flijuar në atë rrugëtim të gjatë historik … për çlirimin e trojeve e të popullsisë shqiptare nën pushtimin sllavo-serb, sllavo-malazez, sllavo-maqedon e, atij greko – ortodoks, në krahinën e Çamërisë, por edhe për bashkimin e tyre në një shtet shqiptar, nën një Flamur Kombëtar”. Këtë reflektim timin për të paharruarin Qazim Ferizaj, po e përfundoj me vargjet e nipit të tij, Isa Ferizaj, autorit të këtij libri të jashtëzakonshëm “Shqipëria në sytë e mi”: “Ti, flakënori grushtngritur, na jep kushtrim / Mblidhuni vëllezër, kombi, na lyp, Bashkim!”, shkruar pas vdekjes së bacës Qazim. Tek pjesa ku autori shpjegon trungun gjenealogjik të familjes së tij të madhe, na jep një mësim dhe shembull shumë të mirë se si duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbledhim të dhëna rreth trungut tonë gjenealogjik, e kështu të krijojmë grafikun historik 406 407 të paraardhësve, për t’ua lënë brezave trashëgim. Përmes kësaj metode të mbledhjes së të dhënave dhe trajtimin e tyre, ne mund t’i shërbejmë edhe historisë për dëshmi faktografike të banorëve të këtij nënqielli. Nga libri mësojmë edhe për reformën arsimore në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodërloken e tij të dashur, ku sistemi 3-vjeçar i studimeve kalonte në sistem 4-vjeçar studimesh. Kishte qënë fati i autorit të gjendej në gjeneratën e parë të kësaj reforme arsimore të shkollimit të lartë, ku viti i katërt në fakt ishte puna shkencore e disa prej studentëve ekselentë, në terren. Dhe autori konstaton se “Kështu, unë po e filloja një përvojë të re në strukturën e kohëzgjatjes së shkollimit në Institut, nga tri vite studimi, në katër vite studimi. Pra ashtu, si pa rënë në sy, po „rritej” Instituti, po rritesha unë, por po “rriteshin” edhe vitet e shkollimit, … E gjithë kjo rritje ishte një pjesë e rritjes së madhe të Shqipërisë time”. Si një fill rrëfimtar, duket pothuajse në të gjithë kapitujt e librit të parë, filli i rritjes dhe i ngjitjes njerëzore e shoqërore të vendit, në lartësi majash lavdie, por që në librin e dytë, autori me shumë dhembje shikon Shqipërinë tek e rrëzojnë nga ato maja lavdie dhe tek e hedhin barbarët e antikombëtarët në fundin e errësirës së humnerave Këto dy vëllime të këtij libri, janë edhe dy burime me mjaft të dhëna e fakte që tregojnë edhe ngjitjen në lartësi, por edhe shkaqet që ranë Shqipëria dhe shqiptarët në thellësitë e errëta. Autori, me sa duket ka bërë një punë mjaft të vyer, sidomos për brezin e ri të sotëm e, ata të ardhshmit e kombit tonë. Në pothuajse çdo argument, autori mbështetet në burime të sakta e, jo në thashethemnaja kafenesh apo në broçkullnajën e politikave të dy krahëve të politikës së këtyre viteve të mbrapshta. Me rritën e Shqipërisë po rritej edhe Tropoja e autorit Isa Ferizaj. “Falë asaj rritjeje, mosha mesatare e popullsisë në Tropojën e “Diktaturës së proletariatit” ishte 26 vjeç”, – thotë autori dhe, shton me një ironi të lezetshme “Ç’diktaturë ajo! Zhdukte sëmundjet „me dhunë” dhe ua zgjaste jetën njerëzve, pa i pyetur fare!” Për rritjen e Tropojës autori na sjell të dhëna faktografike ndër vite, duke ilustruar këtë rritje në të gjitha aspektet shoqërore, kulturore, ekonomike, industriale e bujqësore gjatë epokës së pushtetit popullor enverijan, por edhe duke i krahasuar me të “arriturat” e pas 1990-ës. Autori nuk lë edhe pa bërë krahasimin lidhur me papunësinë, hasmërinë, vëllavrasjen e gjakmarrjen e këtyre dy epokave, atë të Enver Hoxhës dhe atë të “demokracisë” borgjeze të pasvitit 1990, jo aq sa për kundërvënie sistemesh të kundërta, por për t’i bërë lexuesit që të nxjerrin mësimet e duhura, për të sotmën dhe, për të ardhmën. Shpjegimin dialektik të zhvillimit të shoqërisë njerëzore drejt shoqërisë komuniste, shoqëri së cilës i takon e ardhmja e pashmangshme historike, autori e bën në mënyrë brilante dhe shumë të qartë, e me një gjuhë të kuptueshme për secilin lexues, duke konstatuar se “Kapërcimi shoqëror nga një hallkë zhvillimi, në një hallkë zhvillimi që synon arritjen e një sistemi më të lartë të shoqërisë njerëzore, pa shtypje të njeriut nga njeriu, nuk është kurrësesi „kthim prapa””. Autori me të drejt kërkon që “Ky shpjegim dialektik e shkencor, i duhet shpjeguar sot, sidomos brezit që ka lindur nga 1985 e këndej, pasi ky shpjegim sot mbahet i fshehur, ose i jepet i deformuar këtij brezi”. Autori nuk e fsheh krenarinë e tij që jetoi e kontribuoi në kryeepokën e pushtetit popullor të PPSH-së me Enver Hoxhën në krye. Përkundrazi, ai është edhe mirënjohës që përfitoi vlerat më të mira të kësaj epoke të Enver Hoxhës, kur morali i kohës së socializmit ishte: “Njeriu është kapitali më i çmuar!”, kur nuk njiheshin termat, si: „të fortët” e kësaj, apo asaj krahine; „banda e filanit”; „iku në drejtim të paditur”, „vrasje për larje hesapesh”, „grabitje, apo rrëmbim njeriu”, etj. si këto; në kohën kur nuk kishte papunësi, hasmëri, vëllavrasje e gjakmarrje; kur “njeriu për njeriun ishte vëlla, mik e shok”; e ku “Puna ishte nder e lavdi”! 408 409 Një episod shumë mbresëlënës, jo vetëm për autorin, por edhe për mua, është një bashkëbisedim i gjyshit të autorit, Isait, Ukë Ferizaj me kushëririn e tij Brahim Hamëz Trezhnjeva, në kohën kur Isai ishte duke ndjekur shkollën në klasën e tetë, dhe atë mëngjes e bënin një copë rrugë bashkë, një vit para se të shpërthenin demonstratat heroike, atdhetare, liridashëse të rinisë e të popullit shqiptar të Kosovës, në Nëntorin e vitit 1968. Bashkëbisedimi i gjyshit të Isait dhe xha Brahimit, jepet nga autori aq bukur sa na krijohet ideja se ai bashkëbisedim, thuajse vazhdonte aty ku e kishin lënë para se të binin për të fjetur, dhe përnjëherë biseda sikur mori një kahje tjetër, atje përtej vijëzezës së atij kufiri që ndante atdheun e kombin tonë përgjysmë, atje në rrafshnaltat e Kosovës. Momentet se si krijohet kureshtja tek lexuesi, është një tjetër mjeshtëri e autorit të librit dyvëllimësh. Kështu ndodh me dy nga “personazhet” interesantë, xha Brahimit e Ukës, teksa filli i bisedës që kishte ecur me ta në një rrugë, u suall për Kosovën, plagën e hapur të shpirtit të tyre. Me sa duket, autori, me mjaft mjeshtëri e gjën rrugën e përcjelljes së stafetës nga njëri brez tek tjetri, si një amanet që duhej realizuar patjetër e, në se një brez s’e realizonte atë porosi madhore, ai duhej ta mbillte tek brezi pas tij. Shprehje e qartë e kësaj filozofie ishte thënia me një ngazëllim të papërshkruar, nga xha Brahimi, kushëririt të vet, Ukës: “A t’besohet ty se ky djal’ ka me u bâ msus e, ka me i mësue fmit’ n’Prishtinë?” Këtu autori na e përshkruan në mënyrë brilante gjendjen e tij shpirtërore që ndjeu në ato çaste, “… A thua, ai vet, u lehtësua sado pak nga ajo peshë, teksa më „ngarkoi” mua, një „grimcë” nga pesha që mbartte vet mbi „supet” e veta e, që mua m’u duk se më rëndoi mbi shpatullat e mia të njoma, sa pesha e malit të Shkelzenit që e kisha përballë?!” Autori me shpjegimin e gjendjes së tij shpirtërore që përjetoi në këtë rast, në fakt na shpjegon një të vërtetë të madhe, të pashkruar gjëkundi, por të dëshmuar nga koha, se shumë nga të parët tanë kishin ikur nga jeta “me brengën se s’kishin mundur t’i realizonin disa nga ëndrrat më madhore në raportet e tyre me Atdheun e Kombin”, por ata, në ikje e sipër, sikur ëndrrat e tyre i bartnin tek brezi i ri dhe, ashtu të mbjellura këto ëndrra, atyre ua bënte më të lehtë ndarjen nga jeta dhe, autori me të drejtë konstaton se: “Kur zien zjarri së brendshmi, shpërthimi i tij është vullkanik. Këtë „shperthim vullkanik”, mixha Brahim nuk e shikonte, as tek vetja, as tek kushëriri i tij, Uka, por tek unë e brezi im, që ishim si „gacat” e një prushi që mund ta ndiznim e ta kallnim flakë, tërë ligësinë e asaj bote, vetëm pas pak viteve të rritjes tonë, falë rritjes së frymës që na ushqente koha jonë”. Autori ishte me fat, sepse sikur e realizoi atë që iu ngarkua atë ditë shtatori të vitit 1967, aty mu në mes të rrugës ku po ecnin të tre së bashku. “Ëndrrën” e marrur trashëgim brezash nga xha Brahimi, pati rastin ta “realizojë” në një mënyrë fare specifike. Vajza e tij, Aulona, studimet universitare i kreu në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2004. Ne vetëm mund të imagjinojmë se sa krenar dhe i ngazëllyer është ndier Isa Ferizaj, derisa prof. Dr. Agim Hyseni i thotë në fund të provimit vajzës së tij: “… Si përfundim, „u detyruam” që të të vlerësojmë me notën 10 (dhjetë), sepse nuk kishim notë më të madhe se „dhjeta”! Autori këtu të lë përshtypjen sikur ngre kokën lart dhe thotë: “Faleminderit atyre çlirimtarëve legjendarë të UÇK-së së Kryekomandantit legjendar Adem Jashari, që me jetët e gjakun e tyre, në frontin e Luftës Çlirimtare, na e afruan dhe na e sollën këtë ditë fatlume!”, duke uruar që gjaku i dëshmorëve të bëhet dritë për Kosovën dhe Shqipërinë etnike. Shkaku dhe pasoja tashmë ishin në të njëjtën rrjedhë të natyrshme dhe logjike të shëndoshë. Autori sikur evidenton faktorin e luftës çlirimtare dhe UÇK-në, me notë 10 (dhjetë) të vlerësimit të vajzës së tij. Në librin e dytë, autori shpërthen me të drejtë mllefin dhe dufin ndaj kësaj “drejtësie” të padrejtësisë: – “Në cilën periudhë, në atë 410 411 socialiste, apo në këtë „demokratike” borgjeze, janë vrarë shqiptarë, më shumë? … – Në cilën nga këto dy periudha, gjakmarrja ka bërë kerdinë ndër shqiptarë; – në cilën periudhë, janë vrarë më shumë gratë e vajzat shqiptarë; – Në cilën periudhë vajzat shqiptare kanë mbushur bordellot e shtëpive publike jashtë atdheut; – Në cilin sistem, pasuria kombëtare u vodh e u grabit, në sytë e shtetit e, me dijen e tij,…?” dhe, shumë pyetje të ngjashme, duke ngritur zërin dhe grushtin deri në qiell kundër këso lloj “drejtësie” të padrejtësisë, sikur gjëmon konstatimi i tij se, “Krahas me konceptin e këtij shteti, … po më rritej në vetëdijen time edhe figura e një njeriu, gati me përfytyrim hyjnor për mua, kur isha ende i ri, figura e Enver Hoxhës!”. “Pa pavarësi ekonomike, nuk mund të sigurohet as pavarësia politike, as Pavarësia e vërtetë e vendit”, shkruante dhe porosiste shpesh Enver Hoxha, derisa në vitin 1976, në Kongresin VII të PPSH-së u deklarua se Shqipëria arriti, “për herë të parë në historinë e saj mijëra vjeçar, të sigurojë bukën në vend, për të gjithë popullsinë e saj, banuese brenda territorit të saj shtetëror!” Të arriturat e Pushtetit Popullor dhe të “diktaturës së proletariatit”, autori i ravijëzon në një listë të pafund të arritjeve gjatë asaj Epoke lavdimadhe enverjane, tashmë të sistemuara në faqet e dy librave në fjalë. Për të përforcuar dëshmitë për të arriturat në Epokën e Pushtetit Popullor, autori na i kujton se edhe “Atdhetari i madh e veprimtari i përmasave kombëtare, mendimtari brilant e filozofi mendjehollë, Ukshin Hoti, në librin e vet “Filozofia politike e Çështjes Shqiptare”, në fq. 243, pos tjerash shkruan: “Po t’i mohohen Shqipërisë edhe arritjet në planin e kulturës e të arsimit, s’mund të jetë më pak se idiotizëm politik. S’mund të arsyetohen assesi sjelljet primitive dhe vandaliste të disave, rrëmbimet e anijeve dhe ikjet në masë jashtë kufirit, rrëzimi vandalist i statujës së Enver Hoxhës dhe …”. Por në këtë libër monument ne shohim edhe kritika të ashpra për atë pjesë të administratës, pse jo edhe të segmenteve të veçanta edhe të politikës së kohës së socializmit në Shqipëri, që ishte e prirë nga qëndrimet dhe veprimet burokratike, për të cilët autori thotë se “pati “Zylo” e “Belulër”, pati “Demkër” e hijanetër, të cilët binin ndesh me interesat jetike të popullit e të pushtetit të tij,…”, duke konstatuar se “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet!” Fare natyrshëm, si njeriu që ka mall për një kohë, ashtu edhe autori kthehet në një të shkuar të largët, e cila i ka lënë gjurmët e thella mbresëlënëse të bjeshkëve shqiptare dhe staneve të ngritura për të kaluar një kohë bashkë me bagëtinë, tamam bio, siç i thonë sot në kohët moderne, ku pothuajse çdo ushqim e kemi të ndyshuar gjenetikisht e, prodhim arificial e kimikat. Mish bio, qumësht, kos, djath, gjalpë, etj., të gjitha bio! Mjaft tërheqës është edhe përshkrimi i shkëlqyer, me plot mjete të figurshme artistike letrare të florës dhe faunës së bjeshkëve, thuajse po ligjëron vetë Naimi i madh në “Bagëti e bujqësi”, gjë të cilën e përmend edhe autori në këtë pjesë të librit. Duke u rikthyer në kujtimet e tij, autori na i bën një përshkrim të hollësishëm të vendeve ngado që ka ecur e me të cilat është rrethuar. Përshkrimin me emra të vendeve, maleve, pyjeve, përrenjve, kodrave, livadheve, ai i përshkruan edhe relievet e tyre, por edhe largësitë dhe distancat mes tyre, thuajse ka bërë shkollë gjeodeti dhe shkruan raporte për matjet në natyrë. Përshkrimi i ngjarjes me “mysafirin” e natës, në bjeshkë të vitit 1965, i cili kishte humbur orientimin në ahishten e malit dhe ishte sjellur nga qeni i stanit, tek stani, aniçka se njerëzit e stanit ishin në një gjumë të thellë, dëshmon më së miri se si ishte e përgatitur popullësia e brezit kufitar në raste të tilla me “mysafirët” e paftuar. Por, kjo dromcë rrëfimi na i sjell në kujtesë ardhjen e shumë shqiptarëve të rinj të atyre viteve që donin jo vetëm të jetonin në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por donin edhe të shkolloheshin e përgatiteshin për të kontribuuar për çështjen e madhe të çlirimit e bashkimit kombëtar. Edhe Selmani i Deçanit duhet të ketë qenë njëri nga ata shumë të rinj të kësaj moshe që kishin ëndrrat e 412 413 tyre. Më vonë autori na tregon me mjaft mjeshtëri artistike se atij “mysafirit” të asaj natës së verës 1965, i ishte dhënë mundësia e shkollimit në Shqipëri dhe bile, ishte bërë mësues, aq më tepër, ishte martuar dhe kishte krijuar familje, ndërsa pushteti popullor i RP të Shqipërisë i kishte dhënë edhe shtëpi për të banuar së bashku me familjen e tij të sapokrijuar. Në pjesën: Unë, “aktor”, në teatrin “Migjeni”(!!), mësojmë se pushteti i atëhershëm popullor kujdesej sidomos me strukturën ditore për nxënësit dhe të rinjtë, duke ua mundësuar atyre një aktivitet të dendur në të gjitha lëmitë e mundshme. Kjo siguronte edukimin e një rinie të shëndoshë, larg rrugës dhe dukurive negative që sjell rruga. Por njëkohësisht kultivonte afrinë mes tyre, kolegjialitetin dhe solidaritetin. Me këtë synohej mbjellja e një shprehie të punës dhe aktivitetit kolegjial, gjë e cila dukshëm është arritur në atë kohë. Pikërisht nga kjo e arritur e asaj kohe, sot në Shqipëri e kanë më të lehtë të krijojnë punë afariste ortakërie dy e më shumë afaristë, gjë që ta zëmë në Kosovë akoma i mungon shoqërisë puna kolegjiale, sepse atje nuk është brumosur një edukatë dhe shprehi e tillë. Isa Ferizaj, sot autori i këtij libri voluminoz dyvëllimësh, që në moshën 19 vjeçare filloi punën si mësues në shkollën fillore të fshatit të tij, Lugu i Tropojës. Shkolla kishte rreth 30 nxënës dhe ishte e pajisur me “materiale didaktike nga më të , domosdoshmet; kishte një kabinet fizike dhe një bio-kimie, krejt të rinj, të pahapur, ardhur nga Kina. Një bazë të atillë do ta kishte zili sot, në vitin 2020, më e mira shkollë e mesme në Tiranë!” – siç tregon me krenari autori. Me një dhembje shpirti autori konstaton dramën e pas vitit 1992, pas përmbysjes së pushtetit popullor, e me këtë edhe të sistemit të mbrojtjes të Shqipërisë. Këtu ai na i rikujton thënien e ishpresidentit të Republikës Çeke Vaclav Havel, për ish „komunistët” të kthyer në antikomunistë: “S’ka njerëz më të rrezikshëm, sesa ish komunistët e konvertuar në antikomunistë”! Derisa lexojmë këtë libër, na duket se po udhëtojmë në kohë, duke u kthyer për më shumë se gjysmë shekulli mbrapa, për të na i rikujtuar punën, mundin dhe sakrificën e brezave të pasluftës së Dytë Botërore, të cilët të thuash vetëm me forcën e krahut, pa mjete të duhura pune, bënë aq shumë për rindërtimin e vendit nga shkatërrimet e luftës, por edhe në ndërtimin e rrugëve, urave, hekurudhave, fabrikave, uzinave etj, etj. dhe pothuajse të gjitha këto me punë vullnetare, në të mirë të Shqipërisë. S’ka shqiptarë, por edhe të huaj, që nuk ka dëgjuar për kryeveprën e punës vullnetare të rinisë shqiptare të Epokës së Enver Hoxhës në kodrat e Bregdetit Jonian, kryesisht në ato të Lukovës, të mbjella me pemë e agrume. Edhe autori i këtij libri, i cili na flet me një pasion të paimagjinuar për Lukovën e viteve të aksionit, kishte marrë pjesë në vitin 1975 në një nga ato aksione njëmujore vullnetare të rinisë, në Lukovën mahnitëse e të begatë. Ndërsa pas 45 vitesh, atij i qan shpirti kur sheh gjendjen e kësaj kryevepre të duarve dhe punës heroike të rinisë, tashmë të abandonuar nga vandalët e kohës së “demokracisë”. Në vitin 1975, autori fillon studimet e tij të larta në Shkodër. Këtu ai bën një përshkrimi brilant të Shkodërlokes, duke përfunduar “këtij qyteti – arkivë, kryeqendër kulturore, tregtare, politike e ekonomike e Veriut të Shqipërisë londineze. … Shkodra ishte dhe është edhe qyteti i të qeshurave të shëndetshme!…” Autori na bën me dije se ishte Shqipëria Socialiste dhe Enver Hoxha që ishin vënë në mbështetje dhe përkrahje të parezervë të luftës së vëllezërve të tyre të gjakut, shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë titiste. Këtë ndihmë dhe përkrahje, pos në Kosovë, ka edhe në Shqipëri që e sjellin në pyetje, por autori i librit “Shqipëria në sytë e mi” i hedh poshtë të gjitha shpifjet e llojit të tillë, duke dëshmuar se kjo mbështetje kishte krijuar një atmosferë kushtrimi për vëllezërit tanë në Shqipëri, të cilët ishin të gatshëm të shkriheshin për çështjen e 414 415 pazgjidhur kombëtare të Kosovës dhe viseve tjera të pushtuara kombëtare nga ish-Jugosllavia, mjaftonte vetëm urdhëri i të madhit prijës Enver Hoxha. Duke i kujtuar dy folësit e mediave fonike zyrtare shqiptare, “Radio Tiranës” dhe TVSH, autori shton: “Të gjithë, i madh e i vogël, në ato vite, kur vëllezërit tanë në Kosovë po përlesheshin me pushtuesin e egër e çnjerëzor shekullor serb, ishim gati të kapërcenim kufirin drejt Kosovës, me fjalën e parë, me urdhërin e parë të Kryekomandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RPSSH, Enver Hoxhës. Ja pra, sa shumë na e kishte ushqyer shpirtin Partia e Punës së Shqiperisë e Enver Hoxha me dashurinë për kombin tonë, për trojet tona, për historinë tonë të lavdishme!” Atë që e kanë ditur edhe fëmijët e vegjël, e që sot përpiqen t’ia fshehin brezit të ri dhe historisë, ishte fakti se ishte pikërisht Enver Hoxha, ai që përgatiste ato materiale mediale, duke përfunduar: “Kam mësuar më vonë se tezat kryesore për përmbajtjen e artikujve redaksionalë të gazetave për situatën në Kosovë, i përgatiste vet Enver Hoxha”. Autori i librit, pra, me kurajo dhe guxim na i sjell të freskët atë kohë, kur ne si komb ndiheshim krenar se jemi shqiptarë, sepse në krye të shtetit dhe kombit kishim burrështetasin e guximshëm, të vendosur dhe atdhetarin e madh Enver Hoxha. Është mbresëlënëse statistika që sjell autori, duke u bazuar në të dhënat e vitit 1985, për t’ia bërë të mundur brezit të sotëm të bëjnë vetë krahasimin me statistikat e të dhënave të sotme. Sidomos mbresëlënëse mbetet ngritja e Instituteve të një vargu pa fund të profileve të ndryshme shkencore dhe të lëmive ekonomike, bujqësore, industriale, etj. Prandaj me të drejtë autori konstaton se “Arsimi në Shqipërinë e viteve 1944-1984, pa pikë dyshimi, për Pushtetin Popullor dhe politikën largpamëse të PPSH dhe të Enver Hoxhës, ishte një nga sektorët jetik që i duhej kushtuar vëmendja më e madhe. Arsimi u krahasua me bukën. Duhej prodhuar bukë për stomakun, por edhe „bukë” për trurin!” Shumë bukur e thotë autori, “S’ka detyrë më fisnike sesa të mbjellësh në vetëdijen e njeriut, dijen e, ta shkulësh prej andej, padijen, injorancën, errësirën mendore e shpirtërore!” Dhe pikërisht këtë e bëri Pushteti Popullor dhe PPSH-ja nën udhëheqjen e të lavdishmit Enver Hoxha. Shpalosja e krahasimeve me zhvillimin dhe përhapjen e arsimit në Shqipërinë e pushtetit popullor, të lë pa fjalë. Këto i sheh edhe një i verbër. Nuk e shohin vetëm dashakëqinjtë e Shqipërisë. Dhe autori shton: “Kështu, vrullshëm zhvillohej Shqipëria, hovshëm zhvillohej, përsosej e pasurohej njeriu i ri dhe bota e tij shpirtërore e, brenda këtij zhvillimi e rritjeje, shikoja qartë e më qartë, ditë pas dite, vit pas viti edhe rritjen e përsosjen e brezit tim, formimin intelektual, moral e njerëzor të tij e të mbarë shoqërisë”. Autori na e përshkruan në hollësira zhvillimin industrial të Shqipërisë, sidomos pas Kongresit VII të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe planin e gjashtë pesëvjeçarë, duke numëruar të gjitha degët dhe nëndegët e saj, si në industrinë e lehtë dhe ushqimore, industrinë tjetër prodhuese të lëndëve të para dhe produkteve të gatshme, po ashtu edhe industrinë e rëndë nxjerrëse dhe përpunuese. Autori i këtij libri “monument”, tregon se gruaja shqiptare të drejtën për të votuar, e fitoi me ardhjen e Pushtetit të Demokracisë Popullore, duke votuar si e barabartë me burrat, për herë të parë në zgjedhjet e para, të lira e demokratike, me 2 dhjetor 1945. Këtë autori e krahason me të drejtën e grave në SHBA, të cilat këtë të drejtë e fituan në vitin 1920. Ndërsa unë do të plotësoja autorin me një të dhënë tjetër, diku në Evropë, më afër Shqipërisë, në Zvicër, ku gratë e fituan të drejtën e votës, në vitin 1982, por jo në nivel vendi. Në nivel vendi këtë të drejtë e fituan përfundimisht në vitin 1990/’91, kur ligjin federal e miratoi kantoni i fundit në Zvicër. Autori zbërthen shumë bukur njërin nga ligjet themelore të dialektikës materialiste, “ligjin e mohimit të mohimit”, përmes 416 417 të cilit mund të shpjegohen shumë dukuri shoqërore, por edhe të luftohen dukuritë negative. “Mohimi i mohimit „këmbëngulte” (konsistonte) në frymën mohuese të së vjetrës që pengonte, pra, që mohonte lindjen e të resë”, shkruan autori, duke shtuar se, “Partia, porosiste vazhdimisht, se brenda „të vjetrës” ekzistojnë edhe vlera, ndaj duhen veçuar ato, sepse janë mësime historike që vijnë nga përvojat jetësore të njerëzimit”, për të konstatuar se: “Socializmi është një rend ku asnjëherë s’pushon lufta kundër të vjetrës, kapitalizmit dhe, falë kësaj lufte, edhe fitorja e afërt e Komunizmit, nuk do të jetë „një ëndërr e bukur për një natë dimri”, por një realitet i prekshëm e i pamohueshëm”. Vëllimin e parë të Librit “Shqipëria në sytë e mi” autori sikur e mbyll me vlerësimet e gazetës franceze “Le Monde”, lidhur me parashikimet thuajse “profetike” për zhvillimet politike e shoqërore me përmasa botërore, parashikime të cilat u dëshmuan edhe me epilogun e ngjarjeve që nga lufta në Vietnam, shumë vite para mbarimit të asaj lufte, e sidomos parashikimi i Enver Hoxhës për Lindjen e Mesme, “… për të cilin gazeta e madhe e prestigjioze franceze, “Le Monde”, shkruante: “Parashikimi i Enver Hoxhës, për Lindjen e Mesme, shumë i saktë … Lajm sensacional: Rusia ndërhyn drejtpërdrejt me avionë dhe grupe ushtarake në mbrojtje të Asad! Alarm në Lindjen e Mesme! Gjithçka e kordinuar! Me kohë është shkruar se “Lindja e Mesme” është rajoni që do të përfshihet në trazira të mëdha lufte për naftën dhe “dy superfuqitë e kohës, SHBA dhe BRSS (Rusia) do të përfshihen direkt!” Libri është shkruar në kohën e monizmit, nga ish drejtuesi i totalitarizmit shqiptar, Enver Hoxha dhe, pasi ka njohur disa publikime në Francë, Norvegji, Danimarkë e Suedi e, pret të dalë nga shtypi në Portugali”! “Janë parashikime të habitshme, për atë që po ndodh sot në Lindjen e Mesme”, – shkruajti muaj më parë gazeta francese “Le Monde”, duke publikuar titullin e librit dhe foton e ish udhëheqësit komunist shqiptar; parashikimin për shkatërrimin e shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik; parashikimin për shkatërrimin e shpërbërjen e Jugosllavisë; parashikimin 39 vjet përpara (1971) të zhvillimit të luftërave rajonale e botërore përmes viruseve e bakterieve bio-kimike shfarosëse të njerëzimit. Ja, kjo pandemia e sotme botërore që përmes “Corona Virusit – D-19”, po vret njerëzimin në shkallë globale sot, në vitin 2020, është shprehje e saktësisë së atij parashikimi, të mbështetur në studime, analiza e fakte, në përvoja e, në rrjedhoja ngjarjesh madhore historike botërore, vëzhguar, studiuar, kryer e analizuar nga gjeniu Enver Hoxha, me saktësinë më të madhe”. Vëllimin e parë të këtij libri, jo rastësisht, autori e përfundon më 8 Nëntor 2020! Vëllimin e dytë të librit autori e quan me të drejtë “NGA KRYEMAJAT E LAVDISË… NË FUNDIN E ERRËSIRËS!”, duke shpjeguar për gjithçka ndodhi në Shqipërinë e pasnëntëdhjetës. Ky titull po të shikohet me kujdes, është një invers (prapakthim) letrar, por edhe historik i titullit të vëllimit të parë: “Shqipëria – nga fundi i errësirës, në kryemajat e lavdisë”. Që në fillim të vëllimit të dytë, autori vë në spikamë të arriturat e Shqipërisë Socialiste të epokës enverjane dhe situatën e krijuar në kampin socialist gjatë viteve të ’80-ta dhe sidomos në fillim të ’90-tave, por duke e fokusuar vëmendjen tek përmbysja e madhe në Shqipërinë “ramiziste”, siç e quan me të drejtë autori. Në mënyrë shumë të qartë dhe të thuktë, autori shpërfaq pikëpamjet e gabuara politike të zhvillimit ekonomik të dala nga Kongresi IX i PPSH-së, i cili ia trasoi kushtet dhe hapi rrugët e restaurimit të kapitalizmit, duke krijuar njëfarëlloj “vetadministrimi” të ndërmarrjeve publike, i ashtuquajturi “mekanizmi i ri ekonomik”, ngjashëm me “Vetadministrimin jugosllav”, ndërsa zhvillimin ekonomik nga ai industrial e riktheu për 180 gradë mbrapa, duke favorizuar prodhimet artizanale. Autori e shpjegon këtë edhe me krijimin artificial të mungesave në furnizimet me ushqimet bazë e të domosdoshme për jetën, “me të vetmin qëllim: që ta çonin 418 419 popullin, për të parën herë, në përplasje masive dramatike e tragjike me socializmin e, kryesisht me PPSH-në e Enver Hoxhën (pas vdekjes së Tij), duke e shitur atë gjendje tepër të rënduar, si vepër e Tij”. Autori vargon ngjarjet që i paraprinë përmbytjes së madhe në Shqipërinë e pasnëntëdhjetës, siç ishin demonstrata e parë antikomuniste e 14 janarit 1990 në Shkodër, pastaj në stadiumin „Besa” të qytetit të Kavajës, më 25 mars 1990, dhe sidomos takimi i Ramiz Alisë më 12 gusht 1990, në Tiranë, me intelektualët më të shquar të vendit, “ku për herë të parë u zu në gojë edhe termi „pluralizëm politik””. Autori e vë në spikamë sidomos 2 korrikun e vitit 1990, kur në mënyrë të „çuditshme” njerëzit futen masovikisht, si me komandë, (?!) në ambasadat e shteteve perëndimore, në Tiranë, dhe “pikërisht në ditën kur deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, nën terrorin fashist e antishqiptar të Sllobodan Millosheviqit, shpallnin pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Në libër mësojmë se menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, jo pa qëllim, filluan ta “ngrenin në qiell” figurën e Tij, dhe autori me të drejtë konstaton se këto i bënin “për t’ia faturuar tërthorazi, Atij, çdo gabim, faj e dështim që mund të ishte bërë për një gjysmë shekulli në Shqipëri”. Në libër tregohet edhe për stenogramin e mbledhjes së Byrorë Politike, ku ishte vendosur për tufëzimin e bagëtisë e, të cilin e ka kundërshtuar Enver Hoxha, ndërsa armiqtë e socializmit pikërisht këtë u munduan t’ia faturonin Enver Hoxhës, stenogram i cili gjendet në arkivin e shtetit, tek arkivi i PPSH-së. Autori i librit na vë në dispozicion edhe të dhëna mjaft interesante në lidhje me përpjekjet e Ramiz Alisë për ta shndërruar sistemin socialist në sistem kapitalist në Shqipëri. Këtë vepimtari antikombëtare nga pozitat e tradhtarit, të R. Alisë na e bën me dije autori, përmes Luljeta Prognit dhe gazetës “ILLYRIA – the Albanian-American newspaper, datë 11.09.2014”, ku thuhet se në vitin 1986 Ramiz Alia dërgoi me mision të posaçëm Guro Zenelin, këshilltarin e tij personal për një vizitë në Zvicër, “ku ishte prezantuar si mësues”. Po ashtu dërgoi edhe Fatos Nanon, Anastas Angjelin e Gramoz Pashkon për të vizituar vendet perëndimore, me qëllim të mbledhjes së informacioneve dhe të përvojës së funksionimit të sistemit kapitalist. Në vëllimin e dytë jepen nga autori një mori faktesh që implikojnë kreun e PPSH, R. Alinë në një tradhti të hapur e antikombëtare, por edhe antisocialiste. Publikimi në librin e dytë i fjalës së Ramiz Alisë në Mbledhjen e 24 shtatorit 1989, të Plenumit VIII të KQ të PPSH-së, mbajtur me dyer të mbyllura, na e jep tabllon e vërtetë të dramës së luajtur prapa perdeve të pas nëntëdhjetës! Në Kongresin X të PPSH (PSSH) i jepet grushti përfundimtar shkatërrimtar PPSH-së, duke e shndërruar nga Parti Komuniste, si parti e klasës punëtore, në Parti Socialiste borgjeze dhe rendin kushtetues socialist në rend kapitalist. Edhe pse rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit 1991, ishte 67.6% për Partinë e Punës, populli si masë të rëndë ndëshkimi, i dha shuplakën më të madhe asaj partie, duke mos e votuar as për deputet të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Sekretarin e Parë të KQ të asaj partie, PPSH-së, Ramiz Alinë. (!) Koha vërtetoi se, çdo vlerë, çdo arritje në epokën e socializmit, tanimë, nga ky rendi borgjez, do të quhej „antivlerë”, „kohë e humbur”! Kështu, çlirimi i vendit nga pushtuesit e tradhtarët, u quajt „pushtim nga komunistët”; koha e shërimit të plagëve të luftës dhe ajo e ndërtimit socialist dhe e ngjitjes së Shqipërisë në majat më të larta të zhvillimit e të dinjitetit të saj, u quajt „diktaturë”; e vërteta quhej „gënjeshtër”; krimineli quhej „trim”; hajduti quhej „i zoti”, batakçiu quhej „i shkathët”, i ndershmi quhej „injorant”, i urti quhej „anakronik”. Autori është shumë kritik dhe shfaq vërejtjet e tij për riorganizimin e komunistëve në Tiranë më 10 shtator 1991, pas 420 421 përmbysjes së madhe, sepse ata emërtuan partinë me emrin Parti Komuniste, duke hedhur poshtë emrin PPSH, emër të cilin ia kishte vënë vetë themeluesi i saj Enver Hoxha që nga Kongresi i parë i saj më 1948. Ndërsa riorganizimi i PKSH-së në Malësinë e Gjakovës – Tropojë, ishte bërë më 30 dhjetor 1991. Herë pas here autori i kthehet dhjetorit të kobshëm të vitit të mbrapsht 1990, duke vënë në spikamë tradhtinë brenda PPSHsë, sidomos në kreun e saj në fundvitet e ’80-ta, derisa shpërfaqë argumentueshëm të gjithë ata sahanlëpirës dhe si shushunja që kishin aderuar në parti vetëm e vetëm për interesa personale të përfitimit, të cilët në vitin famëkeq 1990 u shndërruan në “armiq të përbetuar” të PPSH-së, duke vjellur helm e vrerë ndaj saj dhe politikës së saj gjysmëshekullore. Këtu të duket se autori ngre zërin deri në kupë të qiellit nga dhembja për Lokemadhen Shqipëri – “Lëngonte e mjera ime si një nënë e madhe e plagosur nga tradhtia dhe e kafshuar nga ligësia! Ja pra, çfarë i ndodhi asaj në atë dhjetor të zi e të kobshëm. Të dukej se në atë fundnëntëdhjete po luheshin skenat e hamendësisë së tragjedisë hamletjane, me fatin e Nënës Shqipëri!” Aq dhimbje e pikëllime solli ky vit i mbrapsht, ky vit keqan, sa autori në këtë pjesë të librit shpërthen emocionalisht, thuajse ka hipur në majen e malit të Tomorrit dhe klithë thershëm: “Perëndi ku je?!”, ani se autori është një ateist i bindur, duke e përshkruar aq bukur edhe në formë letrare gjithë atë tragjedi që po luhej në aktin e fundit të varrmihjes së Lokemadhes Shqipëri, aq sa po të shkruhej veçmas, do të dilte një përjetim dramatik e me plot emocione të fuqishme personazhi romanesk që do rrënqethte misht e trupit, secilit që do e lexonte. Autori denoncon të gjitha marrëveshjet me antishqiptarët, si ajo e Sali Berishës me Greqinë, për faljen e 350 km2. të detit shqiptar Greqisë më 2009, siç denoncon edhe heqjen dorë nga territori në Gjiun e Sarandës; dhënien me konçension, të huajve, e burimeve të nëntokës shqiptare; krijimin e “Zonave të Lira”, që kurrë s’u krijuan, përmes të cilave u dha të huajve pjesë të territorit tonë, shitjen tek të huajt, të territoreve turistike, bujqësore, industriale, strategjike – mbrojtëse, me një euro për 1 m² (!) etj. etj. veprime të dëmshme dhe tejet antikombëtare të Sali Berishës me kompani. Autori nuk i lë asgjë rastit e rastësisë, por as nuk harron të përmend e të shpjegojë gjërat anomalike të propagandës shterpë të kohës së pasnëntëdhjetave, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën dhe fatin e saj historik. Autori thuajse i çmonton dhe shpartallon shpifjet dhe trillimet për gjoja shitjen dhe tradhtinë e çështjes së Kosovës nga PPSH-ja e sidomos nga Enver Hoxha. Qe 30 vite “demokracie”, pse këta borgjezë të mykur në para e pasuri të tjera, përse nuk e blenë të paktën me para Kosovën?! Duke parë se si “pushtohet” toka e bukës, nga ndërtimet e shfrenuara pa leje e pa asnjë studim infrastrukturor e urbanistik, autori sikur lëshon një ofshamë që therë thellë në shpirt, ”Bukuri që vret brezat e kombit tonë në vijimësi!” Autori me të drejtë ngre në spikamë njërin nga problemet madhore kombëtare, ikjen e të rinjve dhe sidomos të trurit të kombit jashtë shtetit si pasojë e politikës “nga më antikombëtarët, që patën e kanë si qëllim final, “bërjen e këtij vendi, një vend të mërzitshëm për popullin e vet, nga ku ai, të largohej sa më parë, me urrejtje për të, pa e kthyer kokën prapa! … kjo është një politikë e dyfishtë antikombëtare, sepse, nga njëra anë e detyron shqiptarin autokton të lërë trojet e atdheun e vet për të marrë udhët e kurbetit, nga ana tjetër, ky soj shteti „shqiptar”, ia zë ato troje me ikanakë (refugjatë) luftrash nga vendet e kombet tjera.(!!) Ky lloj veprimi thellësisht kundërkombëtar, ia ndërron edhe strukturën demografike, racore, kombëtare, gjuhësore e kulturore popullsisë banuese në Shqipëri”. Këtu autori sikur u bie këmbanave të rrezikut e, në të njëjtën kohë sikur lëshon kushtrimin për shpëtim kombëtar, duke marrë si shembull reagimin gjithëpopullor kundër pranimit të sjelljes në Shqipëri, 422 423 të armëve e të lëndëve kimike helmuese të Sirisë. Këtu dhe vetëm këtu e sheh autori shpëtimin e kombit dhe të atdheut, duke bërë thirrje për zgjim nga gjumi letargjik që ka pllakosur kombin tonë dhe të gjithë grushtbashkuar të ngrihemi për t’i dalur të keqes përpara. Autori denoncon edhe “talljen” që i bëhet Shqipërisë pas futjes në NATO, duke i dhënë Greqisë “ruajten” e hapësirën ajrore, ndërsa Italisë, ‘ruajtjen’ e hapësirën detare, duke pyetur zëshëm “A nuk ngjason një veprim i tillë i aleancës politiko-ushtarake NATO, me një megatallje me ne shqiptarët?!” Jo rastësisht autori konstaton se “Politika e revanshistëve „demokratikas” pretendonte që do ta fshinte nga kujtesa e njerëzve ekzistencën, madhështinë, lavdinë, nderin e dinjitetin e një populli të tërë, por edhe vlerat e një periudhe gjysmëshekullore të popullit shqiptar në Shqipërinë harkkohore të periudhës 1941-1991”. (!!!) Ne të gjithë jemi dëshmitarë të marrëveshjes në mes të PD-së dhe PS-së për mbylljen me shtatë dryrë të arkivave të periudhës së pushtetit popullor dhe të Enver Hoxhës për hiç më pak se 50 vjet! Krejt kjo gjoja për ta evituar një “vëllavrasje” dhe “luftë qytetare!”, por në fakt, për t’ia humbur e shlyer nga kujtesa një populli të tërë, historinë e një gjysmë shekulli, në Shqipëri, atë të harkut kohor 1941-1991. E krejt kjo ka pikërisht këtë qëllim, harresën kolektive të një periudhe të një zhvillimi e përparimi të gjithmbarshëm të Shqipërisë, periudhën e lulëzimit të artit e të kulturës, të arsimimit e të krijimit të mirëqenies së përgjithshme të popullsisë, duke shkuar në zhdukje e sipër të diferencave sociale në mes të shoqërisë shqiptare. Autori Isa Ferizaj, edhe pse ishte anëtar i PKSH-së deri më 2007, ai është shumë kritik edhe për veprimtarinë dhe organizimin e Lëvizjes Komuniste në Shqipëri, “Me keqardhje më duhet të pohoj se as Lëvizja Komuniste në Shqipëri, pas riorganizimit të PKSH, nuk u tregua në nivelin e lartë revolucionar, … në vend që të bashkohej në një parti të vetme komuniste, … filloi luftën brenda llojit, … (Në fakt grindjet nuk ishin midis komunistëve të këtyre partive, por, për faqen e zezë të tyre, midis krerëve të tyre)”. Autori kishte dëshirë dhe ideal të tij bashkimin e të gjitha partive komuniste në Shqipëri, në një Parti të vetme Komuniste, që të jetë e denjë për t’iu dalur përballë situatave të krijuara të pasnëntëdhjetës, por edhe zot Shqipërisë e shqiptarëve të tradhtuar e të prerë në besë. Autori prek një plagë të rëndë në shoqërinë shqiptare, atë të gjakmarrjes, duke na i sjellur edhe një tabllo rrënqethëse të të ngujuarve për shkak të këtij fenomeni më se të dëmshëm të shoqërisë sonë. “Vetëm në njëzet vjet të kohës së “demokratikasve” majtisto-djathtistë, në Shqipërinë tonë të dashur e të shtrenjtë, janë vrarë për gjakmarrje 10.070 njerëz, ose afërsisht 506 njerëz në çdo vit, pa përmendur vetëvrasjet, aksidentet në komunikacion, ku këto të fundit u ngjajnë në të shumtën e rasteve bilanceve të luftës, viktimat e të cilave janë kryesisht nga moshat 24 – 35 vjeç e, nga këta rreth 80% e tyre janë të gjinisë mashkullore”. Autori nuk lë pa ngritur zërin edhe ndaj vrasjes së grave në Shqipërinë e pasnëntëdhjetës, dukuri kjo sa vjen e rritet për çdo ditë dhe autori me të drejtë e quan “njollë e zezë në Shqipërinë borgjeze!” Këtu autori bën një krahasim shumë të thjeshtë shifrash, nga koha e pushtetit popullor dhe sot, “Në atë kohën e Socializmit, po ua rikujtoj dhe një herë, për 45 vjet, në Tropojë janë vrarë vetëm 9 persona, ndërsa, vetëm në tri vite, po në Tropojën e „demokracisë” borgjeze, 1998 – 2000, janë vrarë rreth 200 persona”, duke përfunduar me shifrën e shqiptarëve të vrarë “Për 30 vjet, 1990 -2019, në Shqipëri janë vrarë 6.479 njerëz, ose 216 njerëz në vit. Edhe po të kishte qënë situatë lufte, kjo shifër do të kishte qenë shumë e lartë”. I gjithë ky tmerr i pasigurisë njerëzore në kohën e “demokracisë”, a thua ka kaluar ora pesë pas dymbëdhjetëve, dhe kambanat e alarmit a do të duhej të binin zëshëm më heret? Dukuria e vetëvrasjeve në Shqipërinë e kohës së “demokracisë”, është një shenjë e depresionit dhe nihilizmit masovik në Shqipëri, çfarë autorin e shqetëson tej mase, siç e shqetëson edhe njëra nga 424 425 dukuritë më të shëmtuara e më kriminale të kohës së sotme që po e përjetojmë në “demokracinë” borgjeze, vjedhja dhe grabitja e fëmijëve vetëm për qëllime fitimi. Këtu autori sikur bërtet deri në qiell, “Përse sot në „demokraci” vidhen fëmijët, përpara shtëpive të tyre, në mesin e ditës, si në qytete, edhe në fshatra, për t’ua tregtuar organet jetësore njerëzore, vetëm e vetëm për qëllime fitimi, fitim ai, nga më çnjerëzori e, nga më kriminali?! Përse në këtë rendin e pseudodemokracisë, pra në kapitalizmin çnjerëzor, këtu në Shqipërinë time, vidhen, grabiten e humbasin rreth 120 fëmijë në vit?!”, për të krahasuar dhe konstatuar se ç’ishte siguria atëhere, në epokën e pushtetit popullor, dhe sikur përnjëherësh ngjallet nga një e vërtetë e madhe, pohuar me plot gojën e vet nga ‘populli’ i kësaj kohe pa siguri jete: “Po! Po! Siguri jete kishte për njeriun atëherë … atëherë, more, atëherë … në kohën e atij burrit të madh, në kohën e Enverit! Ajo, po! Ajo quhej e ishte siguri jete! Atëherë po, kishte siguri për jetën e njeriut!” Autorin e shqetëson sidomos edhe “pandëshkueshmëria” e krimit dhe kriminelëve, që kanë lidhje me pushtetin ose të afërt të pushtetarëve. Prandaj ai shpërthen me duf duke ngritur zërin deri në qiell, “Nga „polli” ky nocion fantazmë e tepër i pakonceptueshëm nga asnjë mendje e shëndoshë njerëzore?! Ç’është dhe kush e shpiku këtë nocion, ‘pandëshkueshërinë’, pra…?” Dhe nga pezmi e vreri i mbledhur nga këto të këqija që kanë pllakosur vendin tonë Shqipërinë dhe popullin tonë shqiptar, ai me të drejtë ngre zërin dhe shfryn mllefshëm, “Më vjen të këlthasë me tërë fuqinë e zemrës e të shpirtit tim, që t’më dëgjojë edhe kupë e qiellit, por edhe çdo shqiptar që e don jetën me dinjitet, në liri e krenar: – I thirrni mendjes, ooo njerëz, o shqiptarë! Ku po shkojmë kështu, krejt kuturu? Ku po na i shpie „mushka” drutë”? Autori nuk harron të përmend edhe shkatërrimin e 500 fabrikave, uzinave dhe kombinateve në Shqipëri, vetëm për shumë pak kohë, në dy vitet e para të “demokracisë” borgjeze!! – duke konstatuar se “në thelb të emërtimit të rendit “kapitalizëm” është „kapitali”, paraja, pasuria, fitimi e mbifitimi, përmes mbivlerës, ardhur nga shfrytëzimi çnjerëzor dhe papagueshmëria e kohës shtesë në punë e proletariatit e, në thelbin e emërtimit të sistemit „socialist” është „social”-ja – shoqëria njerëzore, pra, njeriu”. Në mënyrë të dëshmuar autori bën krahasimet e të arriturave në sistemin socialist me atë të sistemit kapitalist, duke e shpërfaqur sistemin kapitalist me tërë padrejtësitë dhe ligësitë si sistem shoqëror dhe duke konstatuar se “Nën ndikimin e modelit të këtij sistemi skllavërues, edhe në Shqipëri, pasuria kombëtare është në duart e një pakice kriminale; vendi sundohet nga politika që drejtohet nga interesat e grupeve kriminale”. Autori ngre zërin lart kundër kërkesave për rishqyrtim dhe “korigjim” të historisë sonë kombëtare, por edhe kundër atyre që duan të krijojnë një lloj “kombi” të ri, atë “kosovar”, ani se ata shqip flasin e shqiptarë janë. Nuk lë anash as atakimin e gjuhës standarde shqipe të vitit 1972. “Ç’histori është dhe e kujt është ajo histori që u dashka të „korigjohet” sipas urdhërave të atyre që na kanë pushtuar trojet e kombin tonë? Heronjtë nuk krijohen! Ata i lindin kohërat e mëdha e të vështira kombëtare…” Isa Ferizaj na i sjell përmasat tragjike të vitit 1997, “me mbi 3.800 të vrarë nga të cilët 360 policë e 5.000 të plagosur, për të cilat kurrë nuk u gjykua askush nga drejtësia…” Në pesë faqe e gjysmë autori numëron një varg pa fund të të këqijave dhe dukurive negative të ndodhura pas vitit 1990, aq sa edhe atij i duket se u lodh duke numëruar dhe kërkon falje se me këtë, a mos po e lodh edhe lexuesin. Pas kësaj, sikur për të freskuar lexuesin, autori numëron një varg të arriturash të kombit tonë, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në fundvitin e mbrapsht 1990, duke shprehur edhe bindshëm se, “Jam krenar që isha pjesë e atyre brezave të rinisë heroike shqiptare në Epokën e ndritur Enverjane të Shqipërisë Socialiste!” 426 427 Në fund të librit autori e sqaron shumë bukur dallimin e dy sistemeve politiko-shoqërore, atij të kapitalizmit dhe atij të socializmit – “Në kapitalizëm, sistemi jonjerëzor, shprehës e mbrojtës i interesave të pakicës sunduese, shtypëse e shfrytëzuese të popullit, ushqen shpresat e asaj pakice dhe, vret shpresat e shumicës. Krejt e kundërta ndodh me shpresat e individit e të shoqërisë në sistemin socialist, sistem i cili shpreh e mbron interesat e shpresat e shumicës, pra të shoqërisë së lirë, pa shtypje e shfrytëzim të njeriut nga njeriu”. Shoqëria shqiptare po ballafaqohet me “ fazën e tranzicionit” hiç më pak se tri dekada, pa parë dritë në fund të tunelit. Ky libër jep përgjigje të faktuar pse ndodh kjo në shoqërinë shqiptare. Por nuk nguron edhe të kritikojë dukuritë negative që pllakosën shoqërinë shqiptare pas vdekjes së Enver Hoxhës, më sakt, që në kohën kur Ai ishte akoma gjallë, por luftonte me sëmundjen e Tij të rëndë. “Nuk e kam kuptuar asnjëherë sesi e kishte kohën e luksin, PPSH e Ramiz Alisë, që të merrej edhe me pulat, edhe me gjelat e fshatrave!… Kështu, nisën zëniet e radhëve të gjata për bukë në dyqanet e shitjes së saj. Radhë të gjata edhe për një shishe qumësht a kos, radhë të cilat ziheshin që në mesnatë për ta marrë atë shishe me qumësht, a me kos, në mëngjes. Radhë të gjata edhe për djathin, vezën, mishin, kafènë, vajgurin, elemente këto bazike për jetën në atë kohë. Të gjitha këto shfaqje shpresëvrarëse, ndodhnin sipas skenarit që buronte nga platforma gorbaçovjane e tradhtisë”. Në fund të librit autori bën një përmbledhje të epokave të përjetuara, “Kështu e pava Shqipërinë time hyjnore e të madhërishme tek u ngjit atje, përkrah me Diellin e, që përhapi dritë e frymë anë e mbanë botës, por mjerisht, e pava edhe të binte rrufeshëm rrëpirave qafëthyese, në mungesën e Kryestrategut të mposhtjes së vështirësive, pengesave, kurtheve, komploteve, bllokadave e tradhtive, Kryelegjendarit Enver Hoxha”. Unë desha të bëj një recension apo reflektim timin për librin kryevepër dhe monumental, “Shqipëria në sytë e mi”, në dy vëllime, por kjo vepër, kryevepër e autorit, krijuesit, poetit dhe publicistit të mirënjohur Isa Ferizaj, në çdo faqe të tij është histori më vete, është libër më vete. Prandaj e kisha të pamundur të shkruaja më pak, edhe pse kjo është vetëm një pjesëz e gjithë atyre margaritarëve të këtij libri që ia vlejnë të shtjellohen dhe trajtohen. Librin (vëllimin) e parë autori e përfundoi më 8 nëntor 2021 ndërsa librin (vëllimin) e dytë e përfundoi më 11 prill 2022, dy data këto, shumë të rëndësishme e me plot domethënie, jo vetëm për autorin. Libri përfundon me mesazhe të qarta të autorit, prandaj unë vetëm po i riprodhoj ato, sepse nuk munda t’ua heq as një pikë e asnjë presje, por edhe nuk mund t’u shtohet asgjë, për kohën që po jetojmë sot. “Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët e troj
Agim Sylejmani – intelektual nga Kosova (Gjilan), shkrimtar, publicist, studiues, moderator emisionesh televizive; veprimtar i Çështjes madhore Kombëtare; pjesëtar i luftës ilegale në Kosovën e para 1998-ës e, njëri nga luftëtarët e formacioneve ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.