Drejtuar Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Zotit Armend Duka,(në kopje, po deshi, ta lexojë  edhe ministri Taulant Balla)

I nderuar President Duka,

Shqipëria u kualifikua për Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, një lajm që i gëzoi të gjithë shqiptarët kudo në botë.. Me plot të drejtë ndeshja kundër Ishujve Faroe pritej të ishte një festë e madhe. Nuk doja ta mungoja dhe u nisa nga Gjeneva për në Tiranë.

Duhet thënë, se kur ka ndeshje përfaqësuesja shqiptare, Tirana ndodhet  në një shtet-rrethim të plotë.

Stadiumi Air Albania, duhet të jetë i vetmi në Evropë,  që për   të hyrë në të, duhet të kalosh nga dhjetëra kontrolle (pa ekzagjeruar)  trupore që ushtrohen nga  policia.

Të kontrollon njëri, dhe një hap mbrapa të pret polici tjetër (sikur nuk i besojnë njëri tjetrit). Të krijohet  përshtypja  që  po shkon në një betejë luftarake e jo në një ngjarje sportive. Këtij kontrolli  (tribuna V201) iu   nënshtrova pa asnjë rezistencë edhe  unë.

Dhe kur po kaloja policin e shtatë që po më kontrollonte, ndodhi ajo që nuk e prisja.

Syrit shqiponjë të policit nuk i shpëtoi se unë po mbaja një shallë i  kuq e zi me shqiponjë dhe mbishkrimin “Kosova”.

Pa asnjë hezitim më  kërkoi që ta hiqja, sepse kjo nuk lejohej. I shokuar e pyeta cili ishte problemi ? “Nuk lejohet sepse shkruan Kosova, nuk lejohet Kosova, kupton… Nuk po ju besoja  syve e veshëve të mi… ndodhesha  në kryeqyetin e një shteti fqinj apo në Tiranë ?! Polici shqiptar në mes të Tiranës, 15 vjet pas pavarësisë  së Kosovës, po thoshte se Kosova ishte element i padëshiruar në ndeshjet e perfaqësueses shqiptare ,pavarësisht faktit se më shumë se gjysma e lojtarëve të saj vijnë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.

Pavarësisht faktit, se tifozët më të flaktë janë nga Kosova. Pavarësisht faktit se në stadium brohoritet « Kosova është zemra e shqiptarisë ».

Dhe kjo, nuk ishte një teke apo tejkalim kompetence nga ana e një  polici të izoluar.  Jo, pas një debati dhe ngritje zë zërit, policët, ai i teti dhe i nënti  që po prisnin dy hapa tutje të më kontrollonin, ndërhynë  duke thënë, jo, jo nuk lejohet Kosova…. Insistimi im bëri që të pyesnin shefin i cili e vulosi qëndrimin e policëve : Jo, urdhër nga lart, nuk lejohet se përmban mbishkrimin Kosova ?!

Duhej ta vendosja shallin « armiqësor »  në  një kënd dhe mund ta rimerrja pas ndeshjes, por jo në stadium… Shume e qartë, urdhër nga lart : Nga kush zoti President ? Nga kush Zoti Ministër ? (nëse vazhdimisht po më lexoni në kopje)

Për të qenë ironia më e madhe kur po hyja  në stadium,  po jepej  kënga  « Marshi UÇK-së » e pastaj ” Thërret Prizreni mori Shkodër”. Hipokrizi, demagogji? Të dyja bashkë?

Brenda në stadium, nga shikues  tjerë nga Kosova mësova se policia shqiptare kishte konfiskuar me sukses një element  tjetër të rrezikshëm « armiqësor  :   Flamurin e Kosovës.

E po, i lumtë policisë së Shtetit, vërtet syrin si  shqiponjë, nuk i shpëton asgjë. Shpresoj që të shpërblehen për shmangien një  « provokacije » të sofistikuar tënga ana (ar)miqve kosovarë (tamam sikur ajo historia e dkurshme, me vëllezër kinezë dhe  miq kosovarë ?  Vetëm se tani  nuk e di  e di me kë janë « zëvendësuar »  vëllezërit  kinezë  ?

Të më falni për ironinë zoti President, por kjo histori është për të qarë  e qeshë …  veprime të tilla të policisë shqiptare jo vetëm që janë absurde por ato  rikujtojnë, tek shqiptarët e Kosovës, vitet e vështira të ndalimit, persekutimit, keqtrajtimit dhe burgosjes për ngjyrat kuq e zi dhe flamurin me shkabën dy krenare. Nuk kemi nevojë  që të na i rikujtoni këtë  histori të errët, sidomos  tani në Tiranë.

Por për një gjë të jeni të bindur, përkundër marrëzirave të tilla (në fakt, nuk janë marrëzira, po ide të  fjetura të rrezikshme për çështjen shqiptare),  NE e duam Shqipërinë, këtë nuk mund të na e ndalojë askush, as nga Lart as nga poshtë.. Do e përkrahim përfaqësuesen saj edhe në Gjermani. Atje,   me Himn për Berlin do te jemi NJË,  si një Shqipëri Etnike, me flamur e  shall kuq e zi e  edhe me  flamur të  Kosovës.

Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, uroj që përfaqësuesja shqiptare të na bëjë krenarë  edhe në Gjermani.

Me nderime

Naim Malaj,

Ambasador i Kosovës në Zvicër  për periudhën 2008-2015

P.S.

Për dijeninë tuaj, në cilësinë e ambasadorit,  në shtator 2012 ju kam takuar në Lucern të Zvicrës kur po luhej ndeshja Zvicër-Shqipëri në të  cilën pesë lojtarë të përfaqësueses  zvicrane ishin shqiptarë ndërsa pjesa dërmuese e stadiumit  e mbushur me tifozë kosovarë.

Ndër të tjera, kemi biseduar për përfshirjen në  përfaqësuesen  shqiptare  të një futbollisiti kosovar që luante në  Zvicër,  i cili sot e kësaj dite, mbron ngjyrat e « shallit » kuq e zi.

 

 

About Author

Leave a Reply

Discover more from Albanian American Vision

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading