Fjala e kryetarit të SHBP – Dega në Gjilan, Selajdin Abdullahu, në tubimin përkujtimor për atdhetarin e devotshëm Sabit Rexhepi)
E nderuara familje e Sabit Rexhepit.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor.
Jemi tubuar për të përkujtuar veprimtarin e Lëvizjes Çlirimtare, Sabit Rexhepin, njeriun i cili i kushtoi gjithë jetën e tij çlirimit të vendit – atdheut të tij të shtrenjtë e të dashur.
Sabit Rexhepi u lind më 07.03.1947 në Skifteraj të komunës së Vitisë. Ka mbaruar shkollën fillore në fshatin e tij dhe në qytetin e Vitisë, kurse shkollën e mesme të tekstilit në Gjilan, si dhe Shkollën e Lartë, poashtu të tekstilit, në Leskoc. Ishte baba i 5 fëmijëve të mrekullueshëm.
Deri në vitin 1981 ai ka punuar si mjeshtër i makinerisë dhe kryepunëtor në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, kur u arrestua nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav më 16.12.1981 për aktivitetin e tij patriotik. Pas hetuesisë shumë mujore, duke e maltretuar çnjerëzisht, e dënuan me 6 (gjashtë) vite burg, të cilat i mbajti në Burgun e Qarkut në Gjilan, pastaj në Burgun e Qarkut në Sarajevë, në Burgun Ndëshkues Korrektues të Foçës në Bosnë.
Sabiti ishte anëtar i organizatës klandestine OMLK, dega në Gjilan, të cilën asokohe e drejtonte Nazmi Hoxha, grup i cili njihet edhe si Grupi i GMLK-së së Gjilanit, sipas emërtimit të këtij grupi të gjykuar në Gjyqin e Qarkut në Gjilan. Në këtë grup bënin pjesë edhe shokë të tjerë si: Hilmi Ramadani, Xhevat Ajvazi, Naim Salihu, Shemsedin Hoxha, Sadri Sherifi, Bejtullah Tahiri, Shaip Ismajli, Basri Musmurati, Nijazi Idrizi, Xhemshit Osmani, Selim Ahmeti, Farush Mjaku, Hisen Demelezi, Tahir Lubishtani e plotë të tjerë nga trevat e Gjilanit e me gjerë nga vise të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë.
Organizata MLK-s në të cilën vepronte Sabit Rexhepi, ishte ndër organizatat më të organizuara klandestine deri atëherë në trojet e pushtuara shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe aktiviteti i tyre ishte i gjithanshëm kundër pushtuesve jugosllavë. Përveç aktiviteteve në Kosovë, kjo organizatë, pra OMLK-ja, në prag të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, më 1 prill 1981, vendosi të shpërndajë një trakt nëpër vendbanimet shqiptare atje. Prandaj, më 27 mars 1981 u organizua shpërndarja e traktit në Gostivar, Tetovë, Shkup dhe fshatrat e këtyre qendrave të mëdha shqiptare.
Në Gostivar, Tetovë dhe fshatrat përreth, këtë trakt e shpërndau Nazmi Hoxha me Sabit Rexhepin, ku udhëtuan me veturën e Sabit Rexhepit, ndërsa në Shkup e Kumanovë dhe fshatrat përreth, Bejtullah Tahiri me Selim Ahmetin. Në shpërndarjen e këtij trakti në lagjet e Shkupit morën pjesë edhe Kadri Luzha e Ferid Çollaku nga grupi i OMLK-së në Kaçanik.
Në aksione të ndryshme, anëtarët e organizatës, gjithmonë shkonin të armatosur dhe të pajisur me dorëza dhe benzinë. Edhe kësaj radhe në Maqedoni ishin mjaft të përgatitur dhe të armatosur si përherë në aksione të tilla. Shpërndarja e trakteve kishte filluar në ora 22.00 të datës 27 mars 1981 dhe kishte zgjatur deri të nesërmen në ora 03.30.
Meqë në demonstratat e vitit 1981 dominonte parulla “Kosova Republikë”, kërkesë kjo që synonte barazimin e statusit të Kosovës me republikat e tjera në kuadër të ish-Jugosllavisë, OMLK-ja hartoi “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, me synim të përfshirjes së të gjitha shtresave të popullsisë, përkatësisht organizatave dhe grupeve të fshehta në një front të përbashkët për realizimin e kësaj kërkese gjithëpopullore. Këto teza i përkrahu pa rezerva edhe Sabit Rexhepi
Sabiti merrej edhe me strehimin e ilegalëve, siç ishte rasti edhe me Hydajet Hysenin, në vjeshtë në vitit 1981, i cili ka qëndruar i strehuar për 10 ditë në Gjilan, në shtëpinë e Ismet Rexhepit, vëllait të Sabitit. Për Hydajetin, Sabiti i kishte thënë nënës së tij se ky ishte Jusuf Raci nga Peja dhe se gjoja kishte ardhur për të dhënë provimet në Shkollën e Lartë në Gjilan.
Sabit Rexhepi, së bashku me bashkëfshatarin e tij, Jakup Halimin, ishin përfaqësuesit më dinjitozë të punëtorëve ku punonin, njëri në kombinat të tekstilit në Gjilan e tjetri në Gjenevë të Zvicrës.
Edhe pas daljes nga burgu, baca Sabit nuk e ndaloi aktivitetin e tij kundër regjimit shovinist dhe pushtuesve jugosllavë. Në debatin publik për ndryshimet kushtetuese më 1988 kundër asaj autonomie të cunguar të KSA të Kosovës, Sabiti është ngritur dhe publikisht ka mbrojtur me zë të lartë të drejtat e popullit të Kosovës, duke kërkuar të drejta të barabarta me njësitë e tjera federale dhe të drejtën e Kosovës për statusin e Republikës. Ky fjalim i tij dhe qëndrimi brilant i Sabitit, i kishte lënë të gjithë të tubuarit e Lidhjes Socialiste me gojë hapur. Pas këtij fjalimi të guximshëm të Sabit Rexhepit, aktivistët e LKJ-së, të cilët kishin ardhur për ta mashtruar popullatën se gjoja Kosova nuk humb asgjë me këto ndryshime, por forcohet autonomia, nga punëtorët e popullata u injoruan, ndërsa Sabiti fitoi respekt, jo vetëm nga popullata shqiptare e Gjilanit, por edhe më gjerë. Për këtë rast ai u arrestua dhe u dënua për disa muaj me burg nga pushteti i atëhershëm.
Gjatë vitit 1991-1994 Sabit Rexhepi ishte koordinator i vëzhgimit me shokë në Gjilan, ku bënin përcjelljen e hyrjes dhe daljes së forcave ushtarako-policore serbe në relacionin Gjilan -Prishtinë, njëkohësisht mblidhnin edhe informacione të tjera. Krahas kësaj, pra në të njëjtën kohë, ishte anëtar i komisionit qytet-fshat.
Pas përcjelljes së vazhdueshme nga pushteti dhe sigurimi i atëhershëm shtetëror për ta arrestuar, Sabiti u detyrua të arratiset për në Gjermani, prej nga pas një kohe të shkurtër u kthye në Shqipëri, ku punoi në fabrikën e vaj-sapunit në qytetin e Rogozhinës, duke qenë si përgjegjës i repartit për 5 vite. Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, ai u përkujdes për strehim dhe nevoja të tjera atje për shumë aktivistë dhe refugjatë.
Pas kthimit në Kosovë, në fund të dhjetorit të vitit 1999, ai u angazhua në PDK, duke bartur funksione të ndryshme si kryetar nëndege dhe anëtar i këshillit drejtues për 12 vite me radhë. Me vite të tëra kishte ndihmuar edhe shoqatën “Miqtë e TMK-së ”, ”Nëna Terezë” dhe OJQ të tjera. Për këtë ai u nderua me mirënjohje si nga SHHB “Nëne Terezë”, TMK-ja, PDK-ja, etj.
Një kontribut të madh ka dhënë në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, Dega në Gjilan, duke u angazhuar herë si anëtar i kryesisë, e në fund për 5 vite edhe si kryetar i kësaj dege, të cilën e udhëhoqi në mënyrë dinjitoze.
Sabit Rexhepi pas përfundimit të luftës në Kosovë shkroi dy libra: romanin kronikë ”Për Republikë” dhe “Tokë e bukës tonë”.
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Sabit Rexhepit!
Selajdin Abdullahu
Kryetari i SHBP-dega Gjilan
Skifteraj, 28.11.2022