Të nderuar pjesëmarrës, motra e vëllezër kurbetçarë, dashamirë të fjalës së shkruar
Ndjehem i nderuar që pikërisht në këndin e librave shqip të bibliotekës Pestalozzi të them ca fjalë për këtë libër historik, “Lëvizja Popullore e Kosovës 1982 – 2002”, botuar në vitin 2021, shkruar nga Metush Zenuni, historian dhe veprimtar i çështjes kombëtare, libër shumë i nevojshëm për historiografinë tonë, i cili duhet të plotësojë një pjesë të historisë shumë të rëndësishme të Lëvizjes sonë Kombëtare të dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar në trojet shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste.
Autori këtë libër e ka ndarë në shtatë kapituj në 460 faqe, me një bibliografi të pasur referuese prej 185 titujve librash e punimesh, 20 intervista të zhvilluara, si dhe 9 fejtone në shtypin shqiptar në Kosovë. Libri përfshinë periudhën e cekur edhe në titull, 1982 deri 2002. Pra, një periudhë 20 vjeçare të veprimtarisë së një organizate me jetëgjatësi nga më të gjatat e pas Luftës së Dytë Botërore në viset e pushtuara shqiptare.
Në kapitullin e parë autori përpiqet të përshkruaj dhe shtjellojë historikun e Kosovës në shekullin e XX deri në vitin 1981, në demonstratat e mëdha të Pranverës ’81, demonstrata të cilat u përkrahën pa rezerva edhe nga kurbetçarët tanë. Ishte pikërisht përkrahja dhe solidarizimi me kërkesat gjithëpopullore të këtyre demonstratave që vuri në lëvizje kurbetçarët tanë, të prirë nga figurat shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare, Kadri Zeka e Jusuf Gërvalla, të cilët për një kohë të shkurtër arritën të mbledhin rreth vetes një numër të konsiderueshëm atdhetarësh.
Gjatë protestave të shumta dhe tubimeve të solidaritetit me rininë shqiptare në Kosovë, prijësit e kurbetçarëve bënë çmos që të unifikohet zëri i bashkatdhetarëve tanë të shpërndarë gjithandej nëpër metropole perëndimore.
Pikërisht këto përçapje për bashkimin e grupeve dhe organizatave përpiqet të shtjellojë edhe autori, duke u përpjekur të na i bëjë më të afërta këto zhvillime e ngjarje të kohës. Në këtë pjesë të librit autori është shërbyer më së shumti nga rrëfimet e atyre që ishin pjesë e organizimit të kurbetçarëve, deklaratat e të cilëve ai i sjell këtu në libër. Siç sjell edhe kujtimet e pjesëmarrësve të dasmës së madhe të Kadri Zekës me Saime Isufin, ku ishin të ftuar kryesisht veprimtarë dhe aktivistë të çështjes kombëtare në Zvicër, Gjermani, Austri e Francë. Këtu autori citon një rrëfim të një pjesëmarrësi në dasëm, se këtu “… u zyrtarizua pajtimi mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës…!”, por pa e shtjelluar më shumë pse janë pajtuar apo çfarë ishte mospajtimi i tyre, duke na lënë që të imagjinojmë raportet e këtyre dy veprimtarëve të mëdhenj.
Kapitullin e parë autori e përfundon me bashkimin e organizatave politike në një të vetme, LRSSHJ, e cila më vonë ndërroi emërtimin në LRSHJ, LPRK dhe së fundmi LPK.
Në kapitullin e dytë autori citon shumë autorë librash dhe shkrime që kanë të bëjnë për periudhën e pas themelimit të Lëvizjes dhe shtrirjen organizative të saj në viset shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste, por edhe në mesin e kurbetçarëve tanë nëpër metropolet e shteteve perëndimore, duke i përmendur një numër të madh veprimtarësh që vepruan në këtë kohë.
Periudhës pesëvjeçare të Lëvizjes, nga viti 1982 e deri në vitin 1987, autori i kushtoi vetëm 20 faqe, duke i paraqitur në mënyrë përmbledhëse, për t’u përqendruar në historikun e hollësishëm të Lëvizjes pas vitit 1987, më saktë, pas Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të LPRK-së.
Autori me dashje nuk hyn në shtjellimin dhe sqarimin e zhvillimit të Lëvizjes në këto vite, duke mos dhënë shpjegime si u nda dhe zhvillua Lëvizja në këto vite. Ndoshta edhe nga mungesa e materialeve, ai nuk prek fare shtjellimin e veprimit të dy LPRK-ve, apo siç janë quajtur në perëndim, “me adresë” dhe “pa adresë”. Kështu ngelet pak e mangët kjo periudhë, jo vetëm për veprimtarinë në vendet perëndimore, por edhe në Kosovë.
Mendoj se ne nuk kemi pse të frikësohemi për ta thënë të vërtetën ashtu siç ishte, se herë ishim të bashkuar e herë të ndarë, duke na bashkuar sërish lufta çlirimtare. Dhe jo vetëm njëherë kishte ndarje dhe çarje Lëvizja. Ajo gjatë veprimtarisë së saj pati 4-5 ndarje, por anëtarësia e këtyre ndarjeve megjithatë bashkoi armët në një front të vetëm nën emblemën e UÇK-së, e cila u krijua nga LPK-ja.
Në vijim trajtohet veprimtaria e LPK-së në perëndim dhe në Kosovë, por sidomos Mbledhja e Parë dhe e Dytë e Përgjithshme e LPK-së, duke paraqitur edhe Rezolucionet e tyre, por edhe programin e LPK-së. Këtu duhet parë se LPK-ja “pa adresë” hodhi themelet e një organizimi tjetërsoj nga ai që dominonte deri atëherë, derisa LPK-ja “me adresë” vendnumëroi dhe ngeli mbrapa organizimit. Por autori merret vetëm me veprimtarinë e LPK-së “pa adresë”, prandaj edhe trajtimi i vështrimit tim ka të bëjë pikërisht me këtë aspekt të trajtimit të temës.
Në kapitullin e tretë trajtohet periudha e veprimtarisë së LPK-së 1990-1993, gjatë së cilës ajo mbajti dy mbledhje të përgjithshme, Mbledhjen e Tretë dhe të Katërt të Përgjithshme.
Edhe këtu autori sikur do ta kursej lexuesin nga ndarjet e brendshme që e goditën herë pas here LPK-në, siç ishte edhe ndarja e një pjese të LPK-së pas Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme, e cila në dhjetor 1991 formon LKÇK-në. Por këto “kursime” të lexuesve nuk duhet të bëhen edhe dukuri në historiografinë e shkruar, sepse brezat mund të ballafaqohen me terrin informativ.
Mbledhja e katërt, e mbajtur në Prishtinë, në Kodrën e Trimave, më 28-29 korrik 1993, paraqet zhvillim të ri të organizimit, duke kaluar në fazën e përgatitjes së kryengritjes së armatosur, kur edhe krijohet krahu ushtarak i LPK-së.
Në Kapitullin e katërt autori merret me krijimin e UÇK-së, emërtim i cili u mor më 17 nëntor 1994, datë e cila edhe merret si datë e krijimit ushtarak të UÇK-në. Po në këtë Mbledhje të mbajtur më 17 nëntor 1994, në Aarau të Zvicrës, LPK vendosi, që të lëshojë edhe Komunikatën e parë për shtyp në emër të UÇK-së, Komunikatë e cila kishte numrin rendor 11.
Periudhën 1996-1997 dhe ngjarjet në Kosovë e në Shqipëri, autori i trajton në kapitullin e pestë, kapitull në të cilin kulmon paraqitja publike e UÇK-së.
Veprimtarisë së LPK-së në periudhën e luftës së UÇK-së, 1998-1999, autori i kushton më shumë vend, 110 faqe, në Kapitullin e gjashtë, duke u përpjekur të na sjell sa më shumë informacion për këtë pjesë të historisë, nga më të lavdishmet e pas Luftës së Dytë Botërore në hapësirat e trojeve shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste.
Gjatë shtjellimit dhe trajtimit të veprimtarisë së LPK-së dhe luftës titanike të UÇK-së, autori me sukses përmes dëshmive bën demaskimin e politikës pacifiste në Kosovë, duke ua çjerrë maskën sidomos përpjekjeve të pashembullta të LDK-së dhe prijësit të tyre për ta luftuar UÇK-në, të cilët edhe në rrethana lufte, kur Kosova në mbi 40% të territorit të saj gjendej në luftë me forcat ushtarake e policore të Serbisë, organizonin edhe të ashtuquajturat “zgjedhje të lira e demokratike parlamentare” dhe për “president” të Kosovës.
Ndërsa në kapitullin e shtatë, ku autori shtjellon veprimtarinë e LPK-së pas përfundimit të luftës në Kosovë, edhe pse në këtë periudhë LPK-ja organizoi dhe zhvilloi edhe dy luftëra tjera çlirimtare në hapësirat shqiptare të pushtuara, autori sikur i kushton pak hapësirë këtyre veprimeve kulmore ushtarake, duke u marrë më shumë me Mbledhjet e Përgjithshme dhe rezolucionet e këtyre Mbledhjeve.
Megjithatë, ky libër përbën edhe një përpjekje të ndriçimit të një veprimtarie të gjatë të LPK-së dhe luftës së UÇK-së, duke e pasuruar fondin e librave historik të historisë sonë jo të largët, histori me të cilën s’para po merren historianët e paguar në Kosovë. Kjo vepër dëshmon edhe një të vërtetë të madhe se kurbetçarët tanë nuk janë vetëm forcë krahu, as vetëm ndihmës financiar, por edhe luftëtarë të përkushtuar të pushkës e të penës për kauzën e shtrenjtë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
I nderuar autor i librit, Metush Zenuni, të përgëzoj për këtë libër voluminoz në përmbajtje, libër që do të shërbejë për ndriçimin e veprimtarisë së LPK-së dhe do ua bëjë më të afërt brezit të sotëm dhe atyre që do të vijnë më vonë. Ty të uroj shëndet dhe suksese tjera në krijimtarinë tënde në ndriçimin e periudhave historike.
Agim Sylejmani
28 janar 2023, Zürich